Në qendër të Kansas City ndodhet një nga ndërtesat më të pazakonta të lidhura me librat. Selia qendrore e “Bibliotekës Publike së Kansas-it” u hap në prill të vitit 2004 dhe shpejt u bë e njohur për një element arkitektonik shumë të veçantë.
Biblioteka u vendos në ndërtesën historike të vitit 1906 të ish-Bankës Kombëtare. Pas restaurimit, godina ruajti disa nga elementet e saj origjinale, si mermeri, dyert prej bronzi, dritaret dekorative dhe llambadarët, shkruan KultPlus.

Megjithatë, ajo që e bën këtë vend të dallueshëm është fasada e garazhit të parkimit përballë bibliotekës. Në anën jugore të ndërtesës ndodhet “Community Bookshelf”, një instalacion që duket si një raft gjigant librash. Në të janë vendosur kopertina librash gjigantë, secili rreth 8 metra i lartë dhe gati 3 metra i gjerë.
Në këtë raft paraqiten tituj të njohur të letërsisë botërore si “To Kill a Mockingbird” dhe “Charlotte’s Web”, por edhe libra që kanë lidhje me qytetin, përfshirë romanin “Mrs. Bridge” të Evan S. Connell dhe autobiografinë “I Was Right on Time” të Buck O’Neil.

Ideja për këtë dizajn lindi gjatë planifikimit të garazhit me kapacitet për rreth 480 makina. Qëllimi ishte që ndërtesa të mos ishte vetëm funksionale, por edhe interesante dhe e bukur për lagjen.
Për përzgjedhjen e librave u përfshi edhe komuniteti. Biblioteka kërkoi propozime nga qytetarët dhe mori rreth 100 sugjerime për tituj klasikë dhe libra që lidhen me historinë dhe kulturën e qytetit.
Sot, ky raft gjigant librash është kthyer në një nga atraksionet më të njohura të Kansas City. Projekti ka fituar disa çmime arkitekturore dhe shpesh përmendet në listat e ndërtesave më të pazakonta në botë. Ai është një shembull se si edhe një garazh parkimi mund të shndërrohet në një simbol të kulturës së leximit./KultPlus.com



