Mickoski: Qeveria nuk ka borxh ndaj “Bechtel & Enka”, opozita po manipulon me Korridorin 8

I pyetur për akuzat e opozitës shqiptare se qeveria po ndalon qëllimisht financimin e Korridori 8 dhe po i ridrejton fondet drejt Korridori 10, kryeministri Hristijan Mickoski tha se këto pretendime nuk janë të vërteta dhe se paraqesin një përpjekje për të krijuar polarizim etnik.

Në emisionin “n’Podium” në Ora24.tv, Mickoski iu përgjigj drejtpërdrejt deklaratave të kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili kishte pretenduar se fondet për Korridorin 8 po ridrejtohen për të lidhur Manastirin, Resnjën dhe Prilepin.

Sipas Mickoskit, deklarata të tilla nuk e pasqyrojnë realitetin dhe vetëm sa thellojnë ndarjet etnike në vend.

“Zoti Sela nuk e tha të vërtetën dhe me këtë qasje po fut polarizim etnik. Ai harron se Korridori 8 kalon nëpër territor ku jeton një shumicë dërrmuese maqedonase, nga Kriva Pallanka deri në Ohër dhe Strugë”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se qeveria aktuale nuk i ka borxh asnjë denar kompanisë kontraktuese Bechtel & Enka dhe se ka bërë përparim të madh në procesin e shpronësimit.

“Qeveria aktualisht nuk ka borxh asnjë denar ndaj ‘Bechtel & Enka’. Kemi zgjidhur më shumë se 80 për qind të marrëdhënieve pronësore-juridike, përkatësisht shpronësimin, ndërsa qeveria e mëparshme kishte zgjidhur vetëm rreth 13 për qind”, tha Mickoski.

Sipas tij, retorika e opozitës shqiptare e bën atë më pak të besueshme dhe kjo, siç u shpreh ai, është reflektuar edhe në rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare./Ora24.tv

https://www.facebook.com/reel/2368589966956098

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit