BDI ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo e drejtë buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve.
Sipas deklaratës së BDI-së:
“Deklarata e Kryeministrit se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është ‘problem i trashëguar’ është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për moszbatimin e një të drejte që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve.
Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky nuk është interpretim politik, por realitet kushtetues dhe ligjor që duhet të respektohet nga çdo institucion shtetëror.
Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për të garantuar barazinë gjuhësore dhe për të përforcuar karakterin multietnik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur këtë ligj si ‘problem’ apo për të transferuar përgjegjësinë tek të tjerët nuk i shërbejnë as së vërtetës dhe as stabilitetit institucional të vendit.
Studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.
Qeveria ka obligim të zbatojë ligjin, jo ta relativizojë atë përmes arsyetimeve politike. Çdo vonesë apo pengesë në realizimin e kësaj të drejte përbën një hap prapa për barazinë dhe për standardet demokratike të shtetit.
Republika e Maqedonisë së Veriut është ndërtuar mbi parimin e barazisë ndërmjet komuniteteve dhe respektimit të të drejtave gjuhësore. Këto parime nuk janë të negociueshme dhe nuk mund të trajtohen si ‘probleme të trashëguara’, por si obligime që duhet të zbatohen.”
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski mbrëmë në emisionin Podium në Ora24.tv deklaroi se Ligji për Gjuhët dhe Ligji për Sistemin Gjyqësor kanë karakter të ndryshëm juridik.
“Ligji për Gjuhët është një ligj i përgjithshëm – lex generalis, ndërsa Ligji për Sistemin Gjyqësor është ligj i veçantë – lex specialis. Nuk mund të sinkronizohet automatikisht një ligj i veçantë me një ligj të përgjithshëm”, deklaroi Mickoski.
Ai iu referua edhe opinionit të Komisioni i Venecias, duke thënë se në të theksohet se dygjuhësia nuk duhet të zbatohet në sistemin gjyqësor.
Sipas tij, kjo çështje aktualisht është edhe pjesë e shqyrtimit në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi se opinioni i Komisionit të Venecias është i qartë në këtë drejtim dhe se pikërisht kjo ka hapur debatet aktuale rreth zbatimit të Ligjit për Gjuhët në gjyqësor./Ora24.tv



