Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar viktimat e masakrës së Tregut të Gjelbër në Mitrovicë, në përvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike të luftës në Kosovë.
Përmes një reagimi publik, Osmani theksoi se 13 marsi mbetet një datë që Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë, pasi në këtë ditë të vitit 1999 nga granatat e forcave të regjimit serb u vranë shtatë civilë të pafajshëm.
Sipas saj, viktimat ishin nga mosha 5 deri në 65 vjeç, ndërsa në këtë sulm u plagosën edhe 128 qytetarë të tjerë, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar.
“Masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka theksuar Osmani.
Presidentja ka shtuar se kujtimi për viktimat duhet të shërbejë edhe si thirrje për drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës.
“Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi”, është shprehur ajo./KultPlus.com



