Struga është propozuar si qendër pilot evropiane në kuadër të projektit ndërkombëtar “Kidney First”, i cili synon parandalimin e sëmundjeve kronike të veshkave përmes zbulimit të hershëm dhe promovimit të jetesës së shëndetshme.
Për këtë qëllim, kryetari i Komunës së Struga, Mendi Qyra, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me koordinatorin lokal të projektit Dr. Shkëlqim Muharremi dhe drejtorin e Spitalit Nefrologjik, Dr. Jetmir Ziba.
Ky bashkëpunim synon që Struga të bëhet pjesë e një iniciative të rëndësishme evropiane për shëndetin publik.
Në kuadër të projektit parashihen kontrolle parandaluese për qytetarët, programe për shëndetin e punëtorëve në sektorë si ndërtimi, infrastruktura dhe bujqësia, si dhe fushata ndërgjegjësuese për hidratimin dhe stilin e jetesës së shëndetshme.
Gjithashtu do të organizohen aktivitete komunitare dhe bashkëpunime me bizneset lokale, me qëllim përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e rolit të Strugës në iniciativat evropiane për shëndetin.



