Turqia, destinacion ideal për Pashkë: Nga Izniku historik te Kapadokia magjike

Festat e mëdha të Pashkëve, që zakonisht përkojnë me ditët më të bukura të pranverës, mund të shfrytëzohen edhe për një udhëtim inspirues turistik. Turqia po shfaqet si një nga destinacionet më interesante për këtë periudhë, falë peizazheve të gjelbra, por edhe trashëgimisë së pasur kulturore e historike që lidhet me krishterimin e hershëm.
Një nga vendet më të veçanta për t’u vizituar është qyteti historik Iznik në rajonin e Bursës, i cili ndodhet në listën e përkohshme të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Dikur i konsideruar qytet i shenjtë, Izniku ka qenë mikpritës i dy prej koncileve më të rëndësishme ekumenike të njohura nga të gjitha kishat e krishtera. Vizitorët mund të shohin Xhaminë Hagia Sofia, të ecin përgjatë mureve antike të qytetit apo të vizitojnë teatrin romak dhe varrin unik me figurën e “Jezusit Bariu i Mirë”.
Përveç historisë, zona ofron edhe aktivitete të shumta në natyrë si vozitje me kanoe në liqen, shëtitje dhe ture me biçikleta, si dhe degustim të peshkut të freskët të liqenit. Izniku njihet gjithashtu për pllakat tradicionale të prodhuara që nga koha e Perandorisë Osmane.
Ndër vendet më të rëndësishme për besimtarët janë edhe Shtatë Kishat e Apokalipsit, të shpërndara në rajonet e sotme të Izmirit, Manisës dhe Denizlit. Në Efes, besimtarët mund të marrin pjesë në meshën e Pashkëve në Shtëpinë e Virgjëreshës Mari, ndërsa në Urla vizitorët mund të shijojnë edhe restorante me yje Michelin.
Një tjetër destinacion i jashtëzakonshëm është Kapadokia, e njohur për “oxhaqet e zanave” dhe fluturimet me balonë me ajër të nxehtë. Ky rajon ka qenë strehë për të krishterët e hershëm që iknin nga persekutimi romak. Në qytetet nëntokësore dhe në manastiret e gdhendura në shkëmb, ata praktikonin fshehurazi besimin e tyre. Në Luginën e Göremes u ndërtuan edhe kishat e para nën udhëheqjen e Shën Vasilit të Madh.
Po ashtu, vizitorët mund të ndjekin edhe gjurmët e Shën Palit në Anadollin jugor, përgjatë rrugës misionare që mban emrin e tij. Në qytetin Demre në Antalia gjendet edhe Kisha e Shën Nikollës, i njohur në mbarë botën si Santa Claus, ku ndodhet edhe varri i tij.
Kështu, Turqia ofron një kombinim unik të natyrës, historisë dhe besimit, duke e bërë një destinacion të veçantë për festimin e Pashkëve.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit