Rreth 2 mijë artdashës ndoqën rikthimin e baletit “Lola” pas 25 vjetësh, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.
Trupa e Baletit, Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja dhe dirigjentit të korit Dritan Lumshi, kishin përgatitur një spektakël artistik plot emocion, pasion dhe energji, që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.
Produksion i ri i “Lolës” solli sërish emocionin dhe dramën e kësaj vepre fort të dashur për publikun. Trupa e Baletit u përgatit nga Edi Blloshmi, Alisa Gjoni dhe Domenika Ndreca.
Në rolet kryesore u ngjitën në skenë Adela Muçollari dhe Ambra Troplini në rolin e Lolës, Lurdi Dodgjini dhe Kevin Lila si Pablo, Ervis Koçeku si Mengo, Dion Gjinika si Miguel, Odeta Dishnica, Elda Logo dhe Isida Mollaymeri në rolin e Konsuelës, si dhe Kristi Dushmani në rolin e Kapitenit.
“Lola” është një balet për dashurinë, tradhtinë dhe hakmarrjen. Në sfondin e luftës së popullit spanjoll kundër pushtimit francez, shpaloset historia e Lolës, një vajze të bukur, të fortë dhe të përfshirë në vorbullën e ndjenjave dhe sakrificës./atshKultPlus.com



