Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e nderimit me titullin “Doctor Honoris Causa” për filantropët Nicolas Berggruen dhe Olivier Berggruen, të cilët kanë rrënjë shqiptare dhe janë nipër të aktorit të madh Aleksandër Moisiu. Ceremonia u zhvillua në universitetin e Durrësit që mban emrin e artistit të njohur.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se ishte i nderuar të merrte pjesë në këtë ceremoni që, sipas tij, feston trashëgiminë e një figure të jashtëzakonshme.
“Ndjehem vërtet i nderuar që jam këtu, jo thjesht sepse duhet t’i them këto fjalë, por sepse kemi ardhur për të festuar trashëgiminë e një personi shumë të veçantë, shumë special”, tha ai.
Kryeministri ndau edhe një kujtim nga fëmijëria e tij, duke e lidhur me historinë e familjes Berggruen. Ai tregoi se kishte lexuar një rrëfim të Olivier Berggruen, sipas të cilit ai dhe vëllai i tij nuk lejoheshin të vizitonin galerinë e babait të tyre kur ishin fëmijë, pasi ai besonte se galeria nuk ishte vend lojërash për fëmijë.
“Fëmijëria ime në një farë mënyre ka qenë shumë e ngjashme, sepse babai im besonte se atelieri i tij nuk ishte një vend lojërash për fëmijët,” u shpreh Rama.
Ai tregoi se e kishte pasur të rrallë mundësinë të hynte në studion e të atit dhe se një nga ato momente i kishte mbetur i gdhendur në kujtesë.
“Pikërisht në një nga këto raste, kur unë kam qenë vërtet fëmijë shumë i vogël, u përballa për herë të parë me fytyrën e gjyshit tuaj të madh, Aleksandër Moisiut”, tha Rama.
Sipas tij, ajo që pa ishte një skulpturë prej balte që po punohej nga i ati me shumë përkushtim për të kapur personalitetin e aktorit të madh, i cili kishte lindur në Shqipëri dhe kishte arritur kulmin e famës në Vjenë.
“Isha shumë i vogël për të mbajtur mend shumë gjëra, por mund të them se ai moment më tronditi, më preku, madje edhe më frikësoi dhe njëkohësisht më mrekulloi”, tha Rama, duke shtuar se fytyra e Moisiut ishte një nga portretet që babai i tij e kishte punuar më shpesh në materiale të ndryshme si baltë, bronz, dru dhe mermer.
Ai e përshkroi fytyrën e aktorit si “një fytyrë shumë ekspresive”, që kishte frymëzuar vazhdimisht krijimtarinë artistike të të atit./atsh/KultPlus.com



