Ndërmarrja e parkingjeve në Strugë në kaos! Flet drejtori Shazimanoski

Ndërmarrja Publike “Eko Struga” e cila menaxhon parkingjet e qytetit është në gjendje kaotike. Kështu ka shkruar drejtori i ri i ndërmarrjes Abduladi Shazimanoski, një javë pasi ka marrë detyrën.

Sipas tij, ndërmarrja ka funksionuar pa koordinim adekuar, jasht normave ligjore dhe rregullave të brendshme.

Ja shkrimi i plotë i drejtori Abduladi Shazimanoski:

Të nderuar qytetarë të Strugës,

E ndjej për obligim moral ndaj jush, si dhe ndaj kërkesës së vazhdueshme për transparencë të kryetarit të Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra, t’ju informoj për gjendjen faktike të Ndërmarrjes Publike “Eko Struga”.

Për më pak se një javë, që nga marrja e detyrës si drejtor i kësaj ndërmarrjeje, e cila kujdeset për menaxhimin e parkingjeve në qytet, kam konstatuar se N.P. “Eko Struga” ndodhet në një situatë kaotike.

Ndërmarrja funksionon me një sistem të çkoordinuar, pa rregullore të qartë për funksionimin e administratës dhe të punësuarve, me raporte të dyshimta lidhur me të hyrat dhe shpenzimet, si dhe pa koordinim efikas të të punësuarve në terren.

Me pak fjalë, kjo ndërmarrje nuk është udhëhequr mbi bazën e normave juridike dhe të rregullores së brendshme të punës, por “ligji” për funksionimin e saj ka qenë fjala dhe dëshira e udhëheqësve paraprakë.

Për pasojë, sot Struga ka vendparkime në gjendje kaotike, pa sinjalistikë adekuate dhe pa organizim profesional. Janë parkingje që kanë funksionuar sipas dëshirës së udhëheqësisë së mëparshme, për të cilat qytetarët kanë paguar, ndërsa ish-pushtetarët dhe “të fortët” e qytetit i kanë shfrytëzuar pa pengesa.

Sot e ndjeva për obligim vetëm t’ju informoj për situatën e përgjithshme në të cilën ndodhet Ndërmarrja Publike “Eko Struga”. Në ditët në vijim do t’ju informojmë në formë më të detajuar për mënyrën se si ka funksionuar kjo ndërmarrje.

Njëkohësisht, do t’ju prezantojmë edhe planin dhe vizionin tonë për zhvillimin dhe funksionalizimin e saj.

Ju faleminderit!

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit