Ndërsa ditët e luftës midis SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër po kalojnë, e bashkë me to mbetet i mbyllur edhe Ngushtica e Hormuzit (përmes së cilës kalon 20% e tregtisë botërore të energjisë), skenarët “apokaliptikë” për çmimin e gazit dhe naftës po rriten kudo në botë, përcjell INA.
Kjo situatë, natyrisht, krijon terren të përshtatshëm për manipulime propagandistike në skenën e brendshme, të cilat shpesh nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. Megjithatë, ajo që është interesante është se në këtë moment, vendi ynë ka çmimin më të ulët të benzinës krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, për Evropën as që bëhet fjalë.
Në Maqedoninë e Veriut aktualisht çmimi i benzinës Eurosuper BS-95 është 74.5 denarë (1.20 euro). Pak më e shtrenjtë është benzina 98 oktane, e cila kushton 1.23 euro. Ndërsa nafta (dizeli), me vendimin e fundit të KRRE-së, shitet me 71 denarë apo 1.15 euro, përcjell INA.
Për të kuptuar diferencën, ja sa paguajnë fqinjët tanë:
Greqia: Fqinjët tanë jugorë paguajnë çmime jashtëzakonisht të larta. Më 2 mars, benzina 95 në Athinë kushtonte 1.76 euro, ndërsa benzina 98 ishte 1.83 euro. Dizeli kushton 1.54 euro (rreth 95 denarë).
Shqipëria: Edhe pse do të pritej çmim më i ulët, mëngjesin e sotëm në Shqipëri dizeli kushton 184 lekë (1.92 euro), ndërsa benzina 95 është 185 lekë dhe ajo 98 kushton 1.97 euro. Çmimet atje variojnë varësisht nga pikat e karburantit.
Kosova: Ka çmime më të ulëta se Shqipëria, por sërish më të larta se tonat. Dizeli kushton rreth 1.40 euro, ndërsa benzina 95 është 1.38 euro.
Serbia: Këtu çmimet janë ndjeshëm më të larta. Sipas të dhënave të fundit, dizeli kushton deri në 1.73 euro për litër, ndërsa benzina rreth 1.57 euro.
Bullgaria: Në Sofje, çmimet janë rreth 1.31 euro për benzinën 95 dhe 1.37 euro për dizelin.
Mali i Zi dhe Bosnja: Në BeH çmimet janë rreth 1.20 euro (ngjashëm me ne), ndërsa në Malin e Zi janë rreth 1.33 euro, me paralajmërime për shtrenjtim të mëtejshëm.
Si paraqitet situata në Evropë?
Nëse lëvizim drejt Perëndimit, shifrat bëhen edhe më të larta:
Gjermania: 1.89 euro për litër.
Franca: 1.71 euro.
Danimarka: 2.03 euro (ndër më të lartat në Evropë).
Zvicra: 1.84 euro.
Kroacia dhe Sllovenia: Mesatarisht rreth 1.44 – 1.46 euro.
Nga gjithë kjo mund të konkludohet me ndershmëri se vendi ynë në këtë moment ka çmimin më të ulët të karburanteve në rajon dhe në Evropë. Prandaj, ngritja e panikut për një “Armagedon” të naftës në vendin tonë është aktualisht e panevojshme.(INA)



