Kryetari i Hristijan Mickoski, njëherësh lider i VMRO-DPMNE, deklaroi sot se vendit i nevojitet një opozitë serioze dhe e fortë, e jo – siç tha ai – një opozitë e privatizuar dhe e lidhur me interesa biznesi.
Sipas tij, LSDM sot është shndërruar në një “kopje të zbehtë dhe fabrikë për krijimin e panikut politik”.
“E di se nuk do të kërkojnë falje dhe se do të vazhdojnë njësoj si më parë. Për mua do të ishte më e lehtë të mbaja qëndrimin napoleonik që thotë: ‘mos e ndërprit kurrë kundërshtarin kur gabon’, por vendit i duhet një opozitë serioze dhe e fortë, jo kjo opozitë e privatizuar, oligarkike e biznesit, me probleme morale dhe me mungesë të mbajtjes së fjalës”, tha Mickoski.
Ai rikujtoi se opozita, sipas tij, për vite me radhë i ka mashtruar qytetarët me premtime të rreme.
“Janë po ata që për vite të tëra i gënjyen qytetarët me një varg premtimesh të rreme – se kompani si Google dhe Facebook do të hapnin qendra në vend, se emri i shtetit nuk do të ndryshohej, se do të sillnin Formula 1 në Maqedoni apo avionë në Aerodrom. Sot në konferenca për shtyp numërojnë tenderë, por nuk tregojnë ku është krimi, sepse shpallja e një tenderi nuk është krim. Krim i rëndë është vjedhja nga shteti, siç ndodhte në kohën e tyre”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se qytetarët e mbajnë mend atë periudhë dhe, sipas tij, nuk do ta harrojnë kurrë.



