Sekretari për Arsim dhe Shkencë, Reshat Ahmeti, në një për media ka kritikuar mënyrën se si Qeveria po e prezanton projektin për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke e cilësuar atë si spektakël politik pa mbulesë reale financiare.
Ahmeti tha se një ditë më parë në Shkup u organizua një ceremoni me shumë kamera, fjalime dhe prerje shiritash për fillimin e ndërtimit të kampusit, por sipas tij, në gjithë atë “film propagandistik” mungonte elementi kryesor – paratë për realizimin e projektit.
Sipas tij, kontrata për ndërtimin e kampusit është nënshkruar me kompaninë “Stenton” nga Manastiri, me vlerë prej 2.1 miliardë denarësh, ose rreth 34.3 milionë euro, dhe me afat realizimi 60 muaj, që do të thotë se projekti duhet të përfundojë në vitin 2029.
Ahmeti theksoi se për të respektuar këtë afat, çdo vit duhet të investohen rreth 7 milionë euro. Megjithatë, ai theksoi se në buxhetin e vitit 2026 janë paraparë vetëm 55 milionë denarë, ose rreth 900 mijë euro, që sipas tij përbën vetëm 2.6 për qind të vlerës totale të projektit.
“Me këtë ritëm, kampusi nuk do të përfundojë në vitin 2029, por në vitin 2061. Kjo do të thotë se studentët e sotëm nuk do ta shohin këtë kampus; ndoshta do ta shohin fëmijët e tyre,” deklaroi Ahmeti.
Ai shtoi se një projekt i tillë nuk mund të realizohet me fotografi në Facebook dhe propagandë politike, por kërkon plan financiar serioz dhe mjete të siguruara.
Ahmeti akuzoi gjithashtu Qeverinë dhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN se po bëjnë premtime të mëdha pa mbulesë buxhetore, ndërsa projektet që prezantohen si suksese, sipas tij, janë iniciuar nga qeveria e kaluar.
Në fund, ai kërkoi përgjigje të qarta nga Qeveria lidhur me financimin e projektit, duke pyetur pse për një projekt prej rreth 35 milionë eurosh janë siguruar vetëm 900 mijë euro, si dhe cila do të jetë dinamika reale e financimit në vitet e ardhshme.
Sipas Ahmetit, Universiteti “Nënë Tereza” është një projekt i rëndësishëm për arsimin shqip dhe nuk duhet të shndërrohet në instrument propagande politike, por në një investim real për të ardhmen e rinisë.



