Ambasada e Kosovës, në bashkëpunim me Universitetin e Mbrojtjes të Suedisë dhe Grupin Kërkimor për Gjini, Paqe dhe Siguri, ka organizuar një diskutim publik me studiuesen Vjosa Musliu, autore e librit “Vajzëri në Luftë: Interpretime të Luftës dhe Lirimit në Kosovë”. Diskutimi u zhvillua me temën “Lufta përmes syve të një fëmije: Mësime nga Kosova”.
Ngjarjen e hapi ambasadorja e Kosovës Shkëndije Geci Sherifi, e cila prezantoi autoren dhe veprimtarinë e saj akademike. Ajo theksoi rëndësinë e këtij botimi dhe momentin e publikimit, duke vlerësuar se libri sjell perspektiva të reja në studimet mbi luftën, si dhe një kontribut të rëndësishëm metodologjik dhe feminist, shkruan KultPlus.
Dr. Musliu është profesoreshë e asociuar e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Vrije Universiteit Brussel dhe në punën e saj hulumtuese fokusohet në ndërhyrjet ndërkombëtare, konfliktet dhe ekonominë politike, me theks të veçantë në Ballkan dhe rajone të tjera.
Në panelin diskutues morën pjesë edhe Adea Gafuri, Annette Lyth dhe Annick Wibben. Përmes diskutimeve dhe pyetjeve të pjesëmarrësve u zhvillua një debat i gjerë mbi luftën, kujtesën dhe pasojat e saj.
Organizatorët theksuan se diskutimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe për të sjellë në vëmendje perspektiva të ndryshme mbi përvojën e luftës, si dhe rolin e grave në studimin e konflikteve dhe proceseve të paqes./KultPlus.com




