Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kolektivi feminist MARShojmë S’festojmë organizon sot marshimin protestues në Prishtinë me moton “Marshojmë, s’festojmë”.
Sipas organizatorëve, 8 Marsi rikujton zanafillat revolucionare të Ditës Ndërkombëtare të Grave Punëtore dhe për shumë aktiviste mbetet një ditë proteste dhe reagimi kundër padrejtësive që vazhdojnë të prekin gratë, njofton KultPlus.
Në reagimin e tyre përmendet edhe vendimi i fundit i gjykatës për dënimin me burgim të përjetshëm të Dardan Krivaqa për vrasjen e Marigona Osmani. Aktivistët thonë se ky vendim, edhe pse po konsiderohet historik për sistemin e drejtësisë, është rezultat i një përpjekjeje të gjatë feministe për drejtësi dhe përballje me fenomenin e femicidit.
Ata theksojnë se dhuna në familje ndaj grave dhe fëmijëve, ngacmimet seksuale në hapësira publike, shpërndarja e fotografive intime pa pëlqim në internet, si dhe vendime të institucioneve që, sipas tyre, kufizojnë të drejtat e grave, janë pasojë e një sistemi patriarkal që duhet sfiduar.
Po ashtu, organizatorët lidhin luftën feministe edhe me çështje ekonomike, duke përmendur shkeljen e të drejtave të punës dhe rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe produkteve bazë, të cilat sipas tyre ndikojnë veçanërisht te gratë në situata më të vështira ekonomike.
Marshimi mbahet sot duke filluar nga ora 12:00 në Sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë për të kërkuar barazi dhe jetë me dinjitet për të gjithë./KultPlus.com



