Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore “UN Women” në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në një komunikatë për media ka thënë se gratë dhe vajzat mbeten të pabarabarta para ligjit, që nga mbrojtja kundër dhunës me baza gjinore e deri te paga për punë të barabartë.
Të drejtat e tyre, sipas kësaj agjencia, mbeten të shkelura në të gjitha vendet e botës.
Në një nga gjetet e raportit të ri të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara “Sigurimi dhe forcimi i qasjes në drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat”, theksohet se globalisht, gratë gëzojnë vetëm 64 për qind të të drejtave ligjore që gëzojnë burrat, duke i ekspozuar ato ndaj diskriminimit, dhunës dhe përjashtimit në çdo fazë të jetës.
Raporti thekson se sistemet e drejtësisë që synojnë të mbrojnë të drejtat e grave dhe vajzave dhe të sigurojnë sundimin e ligjit, po dështojnë.
“Raporti thekson se në më shumë se gjysmën e vendeve të botës – 54% prej tyre – dhunimi seksual ende nuk përkufizohet në bazë të mungesës së pëlqimit, çka nënkupton se një grua mund të jetë viktimë e përdhunimit pa u njohur ky akt si vepër penale nga ligji. Në pothuajse tri nga katër vende, ligji kombëtar ende lejon martesën e detyruar të vajzave. Ndërsa në 44 për qind të vendeve, legjislacioni nuk garanton pagë të barabartë për punë me vlerë të barabartë, duke bërë që gratë të mund të paguhen ligjërisht më pak për të njëjtën punë”, thuhet në raport.
Raporti thotë se ligjet po rishkruhen për të kufizuar liritë e grave dhe vajzave, për të heshtur zërat e tyre dhe për të mundësuar abuzime pa pasoja. “Në anën tjeter, derisa teknologjia zhvillohet me ritëm më të shpejtë sesa rregullimi ligjor i ndikimit të saj, gratë dhe vajzat përballen me rritje të dhunës digjitale në një klimë pandëshkueshmërie ku autorët rrallë mbahen përgjegjës. Në konflikte, përdhunimi vazhdon të përdoret si armë lufte, me raste të raportuara të dhunës seksuale që janë rritur me 87% në vetëm dy vjet”.
Raporti tregon gjithashtu se përparimi është i mundur: 87% e vendeve e kanë miratuar legjislacion për dhunën në familje dhe më shumë se 40 vende e kanë forcuar mbrojtjen kushtetuese për gratë dhe vajzat gjatë dekadës së fundit.
“Por vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Normat diskriminuese shoqërore, stigma, fajësimi i viktimave, frika dhe presioni i komunitetit, vazhdojnë të heshtin të mbijetuarat dhe të pengojnë drejtësinë, duke lejuar që edhe format më ekstreme të dhunës, përfshirë femicidin, të mbeten të pandëshkuara. Qasja e grave në drejtësi pengohet edhe nga realitete të përditshme si kostoja, koha, gjuha dhe mungesa e thellë e besimit në institucionet që duhet t’i mbrojnë”, thuhet tutje në njoftim.
Këtë Ditë Ndërkombëtare të Grave 2026, nën temën “Të Drejta. Drejtësi. Veprim. Për TË Gjitha Gratë dhe Vajzat,” UN Women ka bërë thirrje për veprim urgjent dhe vendimtar: t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, të mbrohet sundimi i ligjit dhe të sigurohet barazia, në ligj, në praktikë dhe në çdo sferë të jetës – për të gjitha gratë dhe vajzat.



