100 ditët e para në krye të Strugës, bilanci i kryetarit Mendi Qyra: Ulje borxhi, disiplinë financiare dhe një seri investimesh në qytet

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka prezantuar raportin e 100 ditëve të para të qeverisjes së tij, duke theksuar se kjo periudhë ka qenë vendimtare për stabilizimin financiar të komunës dhe nisjen e një sërë projektesh konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat dhe qytetarët e Strugës, Qyra bëri të ditur se kur mori drejtimin e komunës u përball me një situatë të rëndë financiare, me borxhe të akumuluara ndër vite. Sipas revizionit të brendshëm, gjatë 10 viteve të fundit nga dy drejtuesit e mëparshëm të komunës rezulton se tatimi komunal i pa mbledhur arrin në rreth 7.3 milionë euro.

Masa të menjëhershme për të patur disiplinë të fortë financiare

Përballë kësaj situate, administrata e re vendosi masa të menjëhershme për të ndalur atë që kryetari Qyra e cilësoi si “gjakderdhje financiare”. U vendos kontroll i rreptë mbi shpenzimet dhe një riorganizim i prioriteteve buxhetore.

Sipas Qyrës, vetëm brenda tre muajve është arritur të reduktohet borxhi me rreth 250 mijë euro. Gjithashtu janë ndërprerë shpenzime të konsideruara të panevojshme. Një shembull i përmendur ishte fondi i reprezentacionit, i cili një vit më parë kishte arritur mbi 11 mijë euro gjatë kohës së ish-kryetarit Ramiz Merko, ndërsa këtë vit rezulton zero. Edhe shpenzimet për karburant janë ulur ndjeshëm, nga mbi 2000 euro në janar të vitit 2025 në rreth 1000 euro në janarin e këtij viti.

Paralelisht me kursimet, administrata komunale ka ndërmarrë hapa për të rritur të ardhurat nga taksat dhe detyrimet lokale, si nga qytetarët ashtu edhe nga bizneset.


Punë në terren dhe investime serioze në qytet

Përveç stabilizimit financiar, 100 ditët e para të qeverisjes janë shoqëruar edhe me një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore dhe shërbimesh publike në qytet.

Mes projekteve të realizuara ose në proces përmenden:
• Zgjidhja e problemit të ndriçimit publik në disa zona të qytetit
• Heqja e barrierave horizontale në bulevardin kryesor për të lehtësuar qarkullimin
• Pastrimi i kanaleve kulluese për të shmangur përmbytjet
• Intensifikimi i punimeve për zëvendësimin e gypave të azbestit
• Përshtatja e trotuareve për personat me aftësi të kufizuara
• Sigurimi i 8.300 shportave dhe 5 kamionëve donacion nga Ministria e Mjedisit e Maqedonisë së Veriut
• Një cisternë për pastrimin e rrugëve dhe dy kamionë donacion nga United Nations Development Programme
• Donacion privat me 1.300 fidane për gjelbërimin e qytetit

Gjithashtu është iniciuar shitja e një automjeti luksoz të komunës, e njohur si “Audi i famshëm”, si pjesë e politikës për uljen e shpenzimeve dhe transparencë financiare.

Projekte moderne infrastrukturore në proces

Në raport u përmendën edhe disa projekte të rëndësishme infrastrukturore që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e zonës:
• Tenderimi i rrugës Misleshove–Trebenishtë
• Përgatitja e dokumentacionit për ndërtimin e një çerdheje të re
• Zhbllokimi i projektit të Radozhdës
• Përfundimi i rreth 80% të rrugës “Turistike” para sezonit veror
• Ndërtimi i rrugës dhe shtegut për ecje e biçikleta nga AS Kampi deri te Sateska
• Tenderimi i rrugës “Kolektori Lindor” me fond 2.2 milionë euro
• Projekti për rrjetin atmosferik në rrugën e plazhit drejt Eurohotelit me vlerë rreth 500 mijë euro
• Projekti i kanalizimit në Vranishtë, me vlerë 1.5 milionë euro, që pritet të nisë së shpejti

Në kuadër të menaxhimit të hapësirave publike, autoritetet lokale kanë larguar rreth 90 automjete të braktisura, ndërsa procesi për lirimin e hapësirave publike vijon.

Reforma në administratë

Sipas kryetarit Qyra, ndryshime janë bërë edhe në funksionimin e administratës komunale. Gjatë këtyre 100 ditëve janë dhënë 40 leje ndërtimi, ndërsa 20 kërkesa janë në proces shqyrtimi dhe 25 janë refuzuar për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.

“Sot ka procedura, kontroll dhe përgjegjësi. Nuk ka më dosje të harruara nëpër sirtarë”, u shpreh ai.

Sfida e ujit të pijshëm

Një nga sfidat më të mëdha të kësaj periudhe ka qenë edhe problemi i ujit të pijshëm, i cili sipas kryetarit është pasojë e keqmenaxhimit ndër vite. Pas analizave të kryera me ekspertë, është konstatuar se zona e burimit nuk kishte qenë e mbrojtur ligjërisht.

Autoritetet lokale kanë nisur tashmë procedurat për mbrojtjen ligjore të burimit, ndërsa janë ndërmarrë masa për ndalimin e gërmimeve dhe punimeve pranë zonës. Gjithashtu është larguar një deponi e paligjshme që ndodhej pranë burimit të ujit.

Struga në revizion shtetëror

Me kërkesë të kryetarit, Komuna e Strugës është përfshirë zyrtarisht në listën e revizionit shtetëror për vitin 2026, i cili pritet të zhvillohet në muajin qershor.

“Ne kemi zgjedhur rrugën e llogaridhënies dhe jo të fshehjes”, theksoi Qyra.

Në përfundim të raportit, kryetari i komunës u shpreh se 100 ditët e para janë vetëm fillimi i një rruge drejt stabilitetit financiar, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rikthimit të besimit të qytetarëve të Strugës./AlbaniaExpress

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit