Kur njerëzit imagjinojnë momentin e fitimit të një çmimi të madh, shpesh mendojnë se kë do të falënderonin në atë moment. Për shkrimtarin francez Albert Camus, përgjigjja ishte e qartë: mësuesin e tij të shkollës fillore.
Në vitin 1957, Camus fitoi çmimin Nobel për Letërsi për veprën e tij letrare që, sipas jurisë, “ndriçon me qartësi problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën tonë”. Ai është autor i veprave të njohura botërore si “I huaji” dhe “Miti i Sizifit”.
Menjëherë pas marrjes së çmimit, Camus i shkroi një letër falënderimi ish-mësuesit të tij, Louis Germain, duke theksuar se ndikimi i tij kishte qenë vendimtar në rrugëtimin drejt suksesit.
Ja letra:
19 nëntor 1957
“I dashur zotëri Germain,
Po lë mënjanë gjithë këtë rrëmujë rreth meje këto ditë për të folur me ty nga thellësia e zemrës. Sapo më është dhënë një çmim tejet i madh, një të tillë as e kam kërkuar, por as mund të kërkohet.
Por kur mora vesh lajmin, pas nënës, gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishit Ju. Po të mos ishit ju, dora juaj përkëdhelëse ndaj një fëmije të varfër dhe të shkretë siç isha unë, po të mos ishin mësimet dhe shembujt tuaj, kjo nuk kishte për të ndodhur.
Nuk më ndodh shpesh të nderoj dikë kështu. Por, fundja kjo më jep mundësinë që t’Ju tregoj se ç’keni qenë dhe çka paraqisni edhe sot për mua dhe t’Ju siguroj që mundi Juaj, puna Juaj dhe zëmrën që e vendos në të ende, jeton në njërin nga nxënësit tuaj, pavarësisht viteve, asnjëherë nuk ka reshtur të jetë nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë zemër”.
Jeta e Camus nuk ishte e lehtë. Babai i tij u vra gjatë Betejës së Marne-s, një nga përballjet më të mëdha të Luftës së Parë Botërore, kur ai ishte vetëm 11 muajsh. Nëna e tij, pjesërisht e shurdhër dhe analfabete, i rriti fëmijët në kushte të vështira varfërie.
Shkolla ishte vendi ku talenti i Kamys filloi të shfaqej, falë mbështetjes dhe inkurajimit të mësuesit të tij. Pikërisht për këtë arsye, kur mori çmimin më prestigjioz në letërsi, ai vendosi të shprehte publikisht mirënjohjen ndaj njeriut që besoi tek ai në fillimet e jetës.
Historia e Kamy’s dhe mësuesit të tij mbetet një nga shembujt më domethënës të ndikimit që një mësues mund të ketë në jetën dhe suksesin e një nxënësi. /KultPlus.com



