re pjesëtarë të policisë të akuzuar nga Koçani sot para Gjykatës deklaruan se nuk ndihen fajtorë për akuzën që lidhet me veprimet gjatë kontrolleve në diskotekën “Puls” në Koçan, ku më 16 mars të vitit të kaluar nga zjarri humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Me leximin e aktakuzës në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, sot ka filluar procesi gjyqësor kundër tre pjesëtarëve të policisë nga stacioni policor i Koçanit, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare, në një çështje që lidhet me kontrollet e kryera në diskotekën “Puls”.
Sipas aktakuzës, në periudhën nga 7 tetori i vitit 2023 deri më 7 shkurt të vitit 2024, të akuzuarit Kire Bogatinov dhe Goran Lazarov, si zyrtarë, nuk i kanë kryer detyrat e tyre zyrtare, pra nuk kanë vepruar në përputhje të plotë me aneks-planet për kontroll aksional nga 5 tetori dhe 24 nëntori i vitit 2023 gjatë përgatitjes së procesverbalëve për kontrollet e kryera. Në procesverbal, siç theksoi Prokuroria, janë konstatuar shkelje për dëmtim të rendit dhe qetësisë publike, por janë futur të dhëna të pasakta për personin juridik kabare “Puls” në Koçan.
I akuzuari i tretë Aleksandar Temelkov, sipas aktakuzës gjatë miratimit të kërkesave për nisjen e procedurës për shkelje nga 1 dhe 7 shkurt 2024, nuk ka verifikuar të gjithë dokumentacionin e bashkëngjitur kërkesave, edhe pse ishte i detyruar ta bënte këtë, por i ka nënshkruar dhe i ka dorëzuar para gjykatës në Koçan.
Kërkesat ishin përgatitur kundër personit juridik joaktiv “Klasik” në Koçan dhe një personi fizik të caktuar si përgjegjës në “Puls”, edhe pse, sipas aktakuzës, ata nuk ishin subjekte aktive në momentin e veprimeve. Prokurorja në fjalimin hyrës theksoi se aneks-planet për kontroll aksional, të propozuara si provë në proces, përcaktonin saktësisht detyrimet e pjesëtarëve të policisë, përfshirë mbledhjen e dokumentacionit material dhe verifikimin e të dhënave për personin juridik dhe personin përgjegjës në objektin ku ishte konstatuar shkelja. Në lidhje me të akuzuarin e tretë, ajo sqaroi se edhe pse kishte mundësinë të kontrollonte gjendjen përmes dokumentacionit të bashkëngjitur, përfshirë gjendjen aktuale nga Regjistri Qendror, megjithatë nënshkroi kërkesat dhe i dorëzoi në gjykatë, ku procedurat janë ende në zhvillim dhe nuk është marrë ende një vendim.
Sipas Prokurorisë, nëse do të ishte marrë një vendim bazuar në këto kërkesa, dënimi do të ishte aplikuar ndaj një personi juridik joaktiv dhe një personi që në fakt nuk ishte përgjegjës, duke bërë që personi juridik aktiv dhe personi realisht përgjegjës të shmangnin ndëshkimin. Gjykimi vazhdon më 18 mars me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.



