Tenori i njohur kosovar, Rame Lahaj, ka dhënë një lajm që ka ngjallur emocion në mesin e shqiptarëve kudo në botë, shkruan KultPlus.
Pas më shumë se 15 vjetësh karrierë në skena të mëdha ndërkombëtare dhe para audiencave të ndryshme në kontinente të ndryshme, ai ka njoftuar se bashkë me menaxhmentin ka vendosur të organizojë një tur koncertesh të dedikuar enkas për diasporën shqiptare.
Në mesazhin e tij drejtuar ndjekësve, Lahaj ka theksuar se dëshira e tij është të jetë sa më pranë bashkatdhetarëve, duke sjellë emocione operistike dhe repertor të përzgjedhur posaçërisht për ta.
Qytetet e para të menduara për këtë tur janë Zurich, Vienë, Berlin dhe Dusseldorf, Londër si dhe Malmo. Megjithatë, artisti ka ftuar publikun që të japë sugjerime për destinacione të tjera, me synimin që turneu të përfshijë sa më shumë shqiptarë në mërgatë.
“Duam me qenë afër jush”, ka shkruar ai, duke e mbyllur mesazhin me urimin: “Paqi bekimin e Zotit.” /KultPlus.com



