Shkup – Lëvizja Demokratike ka shprehur mbështetje të fortë dhe të qartë për rolin udhëheqës të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ruajtjen e paqes globale, stabilitetit rajonal dhe rendit demokratik ndërkombëtar. Në një deklaratë publike, kjo forcë politike thekson se në kohë sfidash të shumta gjeopolitike, lidershipi amerikan mbetet faktor vendimtar për sigurinë kolektive.
Sipas Lëvizjes Demokratike, politika amerikane e parandalimit, mbështetja ndaj aleatëve dhe angazhimi për siguri ndërkombëtare përbëjnë themelin e një bote më të qëndrueshme. Në reagim theksohet se çdo përpjekje për të frenuar destabilizimin në Lindjen e Mesme, përfshirë tensionet me Iranin, përbën njëkohësisht kontribut për sigurinë e Evropës dhe rajonit tonë.
Partia nënvizon se si shtet anëtar i NATO, Maqedonia e Veriut e konsideron partneritetin strategjik me SHBA-të si një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare dhe zhvillimit demokratik. Sipas tyre, aleanca transatlantike nuk është vetëm çështje politike, por garanci për stabilitet, investime dhe perspektivë euroatlantike.
Në fund të deklaratës, Lëvizja Demokratike shpreh qëndrimin se do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm përkrah SHBA-ve në çdo përpjekje për ruajtjen e paqes, parandalimin e kërcënimeve ndaj sigurisë ndërkombëtare dhe forcimin e arkitekturës globale të stabilitetit, duke vlerësuar lidershipin amerikan si faktor kyç për një rend botëror të bazuar në rregulla dhe siguri afatgjate.



