Kur “ekselenca” mori kuptim real, nata që vulosi themelimin e Klubit të Zonjave Shqiptare

Në ambientet e Swiss Diamond Hotel, më 26 shkurt, u hodh një hap i ri në hartën kulturore dhe shoqërore shqiptare. Nën kujdesin e Albanian Excellence, u themelua zyrtarisht Klubi i Zonjave të Ekselencës Shqiptare, një platformë që synon të bashkojë gratë me arritje nga të gjitha trevat dhe diaspora, duke e kthyer suksesin individual në energji kolektive, shkruan KultPlus.

Mbrëmja nuk ishte thjesht një ceremoni. Ishte një deklaratë publike se gratë shqiptare përfaqësojnë mendim, vizion dhe ndikim real në art, media, akademi, shkencë e gjithashtu edhe sipërmarrje e politikë. Në sallë nuk ishin prezente vetëm emra e tituj, por histori pune dhe sakrifica nga më të ndryshme të grave.

Themeluesja e kësaj nisme, gazetarja dhe studiuesja Flora Nikolla, e përshkroi klubin si një nevojë për t’i dhënë strukturë dhe vazhdimësi vlerës së grave shqiptare. “Themelimi nuk është një datë në kalendar. Është përgjegjësi për të mbrojtur standardin që shpall,” u shpreh ajo gjatë fjalës së saj, duke theksuar se ekselenca nuk është luks, por detyrim moral ndaj vetes dhe shoqërisë.

Në kuadër të mbrëmjes, u promovua edhe monografia “Idromeno Kostumografia” e studiueses Merita Toçilla, një vepër që risjell në vëmendje dimensionin estetik dhe kulturor të figurës së Kolë Idromeno.

Një moment i veçantë ishte edhe shpallja e artistes së mirënjohur Luljeta Goranci si Anëtare Nderi e Klubit post-mortum, në vlerësim të kontributit të saj në artin dhe kulturën shqiptare ndër vite. Ky akt simbolik e vendosi theksin tek roli i artit si themel i identitetit kombëtar.

Prej 13 vitesh, Albanian Excellence promovon figura dhe personalitete që përfaqësojnë vlerat më të mira shqiptare kudo që ato shfaqen. Themelimi i këtij klubi shihet si vazhdimësi natyrore e këtij misioni.

Prishtina atë mbrëmje nuk ishte vetëm mikpritëse. Ishte hapësirë ku Tirana, Shkupi, Ulqini dhe diaspora shqiptare u bënë bashkë një gjuhë të vetme, atë të dinjitetit. Në një kohë kur shpesh zhurma po mbizotëron mbi përmbajtjen, ngritja e një “strukture” që flet për vlera, meritë dhe shumë të munguarën etikë përbën një akt të vogël, por me shumë peshë e ndikim.

Klubi i Zonjave të Ekselencës Shqiptare po ndërtohet si një vend ku arritjet individuale nuk mbeten vetëm kapituj të mbyllur, por shndërrohen në referenca publike, në model për gratë e tjera dhe në një standard të ri për të gjithë shoqërinë.

Nata e themelimit, ishte me të vërtet një atmosferë ku fjala “ekselencë” mori kuptim real. /KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit