Shkup, 28 shkurt – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga 4 marsi do të nisë me transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave.
Publiku do të ketë mundësi t’i ndjekë seancat në kohë reale përmes faqes zyrtare të Gjykatës, si dhe në kanalet e saj në YouTube dhe Facebook.
Nga Gjykata bëjnë të ditur se në këtë mënyrë qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale rrjedhën e debateve, argumentet në procesin e vendimmarrjes dhe mënyrën se si merren vendimet me rëndësi për rendin juridik.
Sipas njoftimit, vendimi është miratuar me shumicë votash nga përbërja aktuale e Gjykatës, me qëllim avancimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, si dhe forcimin e besimit në shtetin e së drejtës.



