Tetovë, 28 shkurt – Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, priti sot në selinë e partisë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në një takim të cilësuar si vëllazëror dhe me theks të fortë në bashkëpunimin kombëtar dhe perspektivën evropiane.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me fokus në stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Ahmeti theksoi rëndësinë jetike të Marrëveshjes së Ohrit si gurthemeli i shtetit multietnik dhe arkitekturës së paqes në vend, duke paralajmëruar se çdo cenim i këtij kompromisi historik përbën sfidë ndaj frymës së bashkëjetesës dhe barazisë.
Në agjendë ishte edhe avancimi i projekteve strategjike rajonale, veçanërisht Korridori VIII, i cilësuar si bosht zhvillimi ekonomik dhe lidhjeje ndërmjet vendeve të rajonit.
Takimi riafirmoi përkushtimin e përbashkët për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, me orientim të qartë euroatlantik dhe me vendosmëri për mbrojtjen e paqes dhe barazisë ndëretnike.



