Bern, 28 shkurt – Gjykata e Qarkut Bremgarten në qytetin Bremgarten ka shqiptuar vendim në një rast të pazakontë, ku një i ri shtetas i Maqedonisë së Veriut është dënuar me pesë vjet burg për një seri grabitjesh dhe veprash të tjera penale, raportojnë mediat lokale.
I akuzuari i ka pranuar të gjitha veprat, ndërsa prokuroria ka kërkuar që dënimi maksimal të mos tejkalojë pesë vjet heqje lirie. Gjatë gjykimit, ai ka deklaruar se në periudhën kur i ka kryer veprat ka qenë i varur rëndë nga alkooli dhe se me vetëdije ka dashur të përfundojë në burg, duke e konsideruar këtë si mënyrën e vetme për t’u çliruar nga varësia.
Gjyqtari ka theksuar se një arsyetim i tillë dëgjohet rrallë në praktikën gjyqësore, sidomos duke pasur parasysh se i akuzuari ka qenë i informuar për mundësinë e trajtimit në qendra të specializuara rehabilitimi, por megjithatë ka zgjedhur të mos kërkojë ndihmë të tillë. Para gjykatës, ai ka deklaruar se burgu ka qenë qëllimi i tij i vetëm në atë periudhë të jetës.
Përveç dënimit me burg, ai duhet të paguajë edhe mbi 80 mijë euro, ndërsa pas vuajtjes së dënimit do të dëbohet përgjithmonë nga Zvicra.



