Shkolla e Mesme në Saraj mohon përfshirjen në rastin e dhunës që po qarkullon në publik

Shkolla e Mesme në Saraj ka reaguar publikisht pas raportimeve dhe publikimeve në disa portale, ku emri i institucionit është lidhur me një rast dhune që po qarkullon në opinion.

Në reagimin zyrtar, drejtoria e shkollës thekson se rasti në fjalë nuk ka ndodhur në ambientet e shkollës dhe nuk ka asnjë lidhje me nxënësit e saj.

“Ju njoftojmë me përgjegjësi të plotë se rasti i përmendur nuk ka ndodhur në shkollën tonë dhe nuk ka asnjë lidhje me nxënësit e shkollës sonë”, thuhet në reagim.

Nga drejtoria bëhet e ditur se institucioni funksionon mbi bazën e Kodeksit të Etikës dhe Rregullores së Brendshme, ku çdo formë dhune, diskriminimi apo sjelljeje e papranueshme trajtohet me seriozitet maksimal dhe me masa të menjëhershme disiplinore.

Njëkohësisht, shkolla u ka bërë thirrje mediave dhe individëve që të tregojnë përgjegjësi profesionale dhe morale, duke verifikuar informacionet para publikimit, në mënyrë që të mos dëmtohet padrejtësisht imazhi i institucionit.

Në fund, drejtoria thekson se mbetet e përkushtuar për krijimin e një ambienti të sigurt, edukativ dhe të shëndetshëm për të gjithë nxënësit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit