Këshilltarët e AKI-së me akuza për lëshime të shumta në rrugën që lidh Tetovën me Porojin

Këshilltarët e AKI-së në Tetovë, kanë akuzuar komunën, se rruga e re që lidh Tetovën me Porojin, është lëshuar pa pranim teknik. Ata kanë ngritur dyshime edhe për cilësinë e ndërtimit të rrugës.

“Një projekt prej afro 2.5 milion eurosh i financuar nga paratë e taksapaguesve tetovarë, është hapur pa pranim teknik dhe pa garanci sigurie. Kjo është vepër e rëndë penale dhe rrezik për qytetarët. Situata është edhe më shqetësuese kur shohim se segmenti i lëshuar në dhjetor tashmë ka dëmtime të dukshme që ngre dyshime serioze për cilësinë por dhe keqmenaxhimin e mjeteve publike. Në periudhën e ardhshme do paraqesim kallëzim penal në prokurorinë e Tetovës dhe keqpërdorime të tjera”, tha Berat Murati, këshilltar AKI.

Ndërkohë Komuna e Tetovës thekson se rruga ende nuk ka përfunduar dhe për këtë qëllim nuk ka pranim teknik.

“Projekti për ndërtimin e rrugës VS Bato ende është në realizim, dhe tani bëhet trotuari, e derisa punimet janë duke u zhvilluar nuk mund të bëhet pranimi teknik i tij.  Pretendimet e ngritura nga opozita janë të pabaza sepse projekti është duke u realizuar në terren, dhe përgjegjësitë janë të qarta sipas kontratës., në dhjetor rruga u hap për qarkullim me qëllim lehtësimin e komunikacionit gjatë ardhjes së mërgimtarëve, duke pasur parasysh fluksin e shtuar në atë periudhë”, u shpreh Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.

Projekti që është vazhdim i bulevardit VS Bato, pas asfaltimit, gjatë reshjeve të para të shiut pësoi dëmtime të dukshme, të cilat pritet të riparohen nga ana e kontraktuesit./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit