Ngjarje të tilla nuk janë thjesht akte përkujtim, janë rikthime të ndërgjegjes sonë historike në vendet ku ajo është formësuar me rrezik, sakrificë dhe besim. Vendosja e pllakës evokuese në shtëpinë e veprimtarit Murat Lumani, në Fierishtë të Strugës, është një nga ato momente që i tejkalojnë kufijtë e ceremonisë. Ajo nuk shënon vetëm një adresë në hartë, por një pikë referimi në kujtesën kolektive të rezistencës shqiptare. Sepse ka shtëpi që ndërtohen për të jetuar – dhe ka të tjera që, në një moment të caktuar të historisë, vendosin të jetojnë për të tjerët. Ka hapësira që mbeten private, dhe ka të tjera që, për hir të kohës dhe idealit, shndërrohen në territore të përbashkëta të përgjegjësisë kombëtare.
Në fillim të viteve ’90, kur çdo veprim në funksion të çështjes kombëtare barte mbi vete rrezikun e përndjekjes, burgosjes apo edhe të zhdukjes fizike, shtëpia e Murat Lumanit në Fierishtë nuk zgjodhi të heshtë. Ajo u bë një nga ato shtëpi të padukshme të organizimit që nuk figuronin në dokumente zyrtare, por që mbajtën gjallë rrjetin e rezistencës shqiptare.
Që nga viti 1991, ajo u shndërrua në një hapësirë ku fjala “ilegalitet” nuk nënkuptonte fshehje nga frika, por organizim për liri – një ilegalitet i ndërgjegjshëm, që lindte nga nevoja për të mbijetuar si popull dhe për të vepruar si komb.
Nga viti 1993 e deri në pragun e çlirimit, kjo shtëpi shërbeu si një bazë e rëndësishme për strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ofruar jo vetëm strehim fizik, por edhe siguri morale për ata që mbanin mbi supe përgjegjësinë e drejtimit të luftës. Në korridoret e saj janë zhvilluar biseda që nuk i përkisnin vetëm një nate apo një operacioni, por fatit të një populli të tërë. Aty janë ndarë vendime që nuk shkruheshin në letra zyrtare, por që përcaktonin drejtimin e një lëvizjeje që kërkonte lirinë me çdo kusht.
Marsit i vitit 1999 mbetet një nga kulmet e kësaj historie të heshtur, pas kthimit nga Konferenca e Rambujesë, në këtë shtëpi qëndruan përfaqësues të delegacionit shqiptar si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramë Buja, Agim Çeku, së bashku me bashkëluftëtarë e drejtues të tjerë të luftës çlirimtare. Aty nuk u bë thjesht një ndalesë logjistike, aty u riforcua vendosmëria për të vazhduar drejt frontit të lirisë, në një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë të re.
Në një kohë kur gjithçka varej në fije të hollë, edhe një derë e hapur kishte peshën e një vendimi strategjik. Në këtë kontekst, vendosja e pllakës përkujtimore nga Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm Azem Syla merr një domethënie që shkon përtej nderimit simbolik. Ajo është një akt institucionalizimi i një kontributi që për vite me radhë ka jetuar në kujtime individuale dhe rrëfime të shpërndara. Tani, ajo është e gdhendur në mur — si një dëshmi që nuk i flet vetëm së kaluarës, por edhe brezave që do të vijnë. Sepse kujtesa që nuk shënohet, rrezikon të zbehet; ndërsa kujtesa e gdhendur bëhet pjesë e identitetit të një kombi.
Në kohë lufte, të hapësh derën e shtëpisë nuk është një akt mikpritjej, është një akt pozicionimi. Është një vendim për të mos qenë spektator i historisë, por pjesë e saj. Dhe kjo është ajo që bëri Murat Lumani: e ktheu hapësirën private në një territor të përbashkët të rezistencës, duke e vënë në shërbim të një ideali që tejkalonte çdo interes personal.
Sot, kur ajo shtëpi mban mbi vete një shenjë kujtese, ajo nuk nderon vetëm një familje, por një traditë të tërë qëndrese të ushqyer në heshtje, larg kamerave dhe tribunave. Është një kujtesë se liria nuk është vetëm produkt i atyre që luftojnë në vijën e parë, por edhe i atyre që mbajnë të hapur derën në prapavijë, aty ku shpesh vendoset në heshtje fati i një lufte. Dhe ndoshta, pikërisht aty, në ato dyer të hapura në kohë rreziku, fillon historia e vërtetë e një populli që vendosi të mos dorëzohet. Sepse rezistenca nuk lind vetëm në male e fronte, por edhe në shtëpi që marrin guximin të bëhen strehë e lirisë.
Dhe vendosja e kësaj pllake evokuese sot, mbi mur është një fener kujtese që ndriçon rrugët e së shkuarës dhe të së ardhmes. Ajo na kujton se guximi nuk matet vetëm në beteja, por edhe në vendimet e heshtura që bëhen në çaste të rrezikut. Dhe ndërsa brezat e rinj do të kalojnë pranë saj, le ta mbajnë mend këtë të vërtetë, liria nuk është dhuratë, por një amanet që kërkon sakrificë, vendosmëri dhe zemër të hapur. (Rajmonda Maleçka)



