Andonovski: Qytetarët do të përdorin roaming pa kosto në BE

Gjatë këtij viti mund të priten të paktën 20-30 shërbime plotësisht të digjitalizuara, me përparësi regjistrimin e një të porsalinduri dhe lëshimin e certifikatës së parë të lindjes në më pak se 48 orë nga regjistrimi, shërbime në fushën e energjetikës dhe Fondit për Shëndetësi, si dhe shërbime për kompanitë, paralajmëroi ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski.

“Pres që gjatë pranverës të fillojmë me një projekt tjetër përmes programit evropian IPA, me të cilin do të digjitalizojmë një grup tjetër më të madh shërbimesh që qytetarët i konsiderojnë më të përdorurat. Paralelisht, po punojmë edhe në përmirësimin e shpërndarjes elektronike (e-kuti), dhe shumë shpejt qytetarët do të fillojnë të përdorin terminalet e shërbimeve që do të vendosen në vende të frekuentuara, më së shumti në Shkup”, potencoi Andonovski në një intervistë për “Skopjeinfo.mk”.

Si prioritet për këtë vit, Andonovski thekson fillimin e projektit për ngritjen e Qendrës së Inteligjencës Artificiale “Vezillka” dhe ndërtimin e një modeli gjuhësor në shkallë të gjerë të gjuhës maqedonase, që, sipas tij, do të sjellë përparim sistemik në zbatimin e inteligjencës artificiale në sektorin publik.

“Kjo duhet të shoqërohet me një aktivitet më të madh në tërheqjen e investimeve të huaja në teknologjinë e lartë, inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave”, shton Andonovski.

Në intervistë thekson se sot kanë mbi 260 mijë përdorues të Portalit Kombëtar të Shërbimeve (krahasuar me vetëm 100 mijë në vitin 2024) dhe një rritje prej më shumë se 150 për qind në përdorimin e e-shërbimeve dhe transaksioneve në platformën e ndërveprimit. Gjithashtu, thekson se kanë miratuar një strategji të qartë kombëtare të TIK-ut me një plan deri në vitin 2030, kanë realizuar dhjetëra projekte, kanë hapur qendra shërbimesh në 15 qytete dhe kanë propozuar dhe miratuar ligje. Potencoi dhe se të parët i kanë realizuar të gjitha detyrimet nga Agjenda e Reformave, duke siguruar kështu më shumë se 20 milionë euro nga BE-ja. Shkupi ishte nikoqir edhe i Samitit Digjital më të madh ndonjëherë në Ballkanin Perëndimor, para më shumë se 1.000 të ftuarve dhe pjesëmarrësve, gjatë të cilit, sipas Andonovskit, Maqedonia është vendosur përsëri në hartën e vendeve të zhvilluara në mënyrë digjitale.

Në lidhje me iniciativën “Roaming si në shtëpi” dhe harmonizimin me rregulloret e Bashkimit Evropian, ministri tha se procesi është në një fazë të avancuar. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut i plotëson një pjesë të kushteve teknike dhe ligjore dhe është ndër vendet më të përgatitura në rajon. Megjithatë, ai theksoi se implementimi është një proces i dakorduar dypalësh mes BE-së dhe secilit vend të Ballkanit Perëndimor, si dhe mes operatorëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit