Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Petrushevski, ka deklaruar se drejtësia po vihet në vend pas arrestimit të ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi.
Sipas tij, pas një viti e gjysmë në arrati, Grubi është arrestuar sot në pikën kufitare Bllacë. Ai e cilësoi Grubin si simbol të krimit dhe korrupsionit të udhëhequr nga SDSM dhe DUI, duke thënë se më në fund do të përballet me drejtësinë.
Petrushevski pretendon se dëmi i shkaktuar nga Grubi arrin të paktën 500 milionë denarë (mbi 8 milionë euro), ndërsa sipas tij ka indikacione se shuma mund të jetë edhe shumë më e madhe, me para të përvetësuara nga qytetarët.
Ai shtoi se Grubi, bashkë me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Bajrami, dyshohet se kanë manipuluar tenderë milionësh dhe kanë paguar avanse për bashkëpunëtorë biznesi.
Sipas VMRO-DPMNE-së, për këto veprime ka pasur dijeni edhe SDSM, por ka heshtur për të ruajtur koalicionin qeverisës, duke u bërë bashkëfajtor.
“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit mbetet prioritet dhe kushdo që ka shkelur ligjin, herët a vonë do të përballet me drejtësinë”, thuhet në deklaratë.



