Ndërtimi i BRT-së pritet të nisë më së voni në fillim të 2027, Gjorgjievski pret që vonesat e autobusëve të mbarojnë pas ardhjes së 100 autobusëve të rinj

Kryetari i Qytetit të Shkupi, Orce Gjorgjievski thotë se më së voni deri në fillim të vitit të ardhshëm, pret që të nisë ndërtimi i sistemi Bus Rapid Transit (BRT) në kryeqytet. Gjorgjievski thotë se përveç 100 autobusëve që pritet të vijnë nga qeveria, përmes procedurës për BRT, do të sigurohen edhe 30 autobusë shtesë.

“Për BRT-në, së pari më vjen shumë mirë që më në fund me BERZH-in e kemi shtyrë përpara procesin. Ka qenë një punë e lodhshme gjatë më shumë se tre muajve, që nga kur jam kryetar i Shkupit. Besoj se diku në gjysmën e dytë të këtij viti kalendarik do të fillojmë me procedurën e tenderimit. Ky është një projekt serioz për qytetin e Shkupit, që përgjithësisht do të zgjidhë ngarkesat e trafikut që kemi tani, të cilat lidhen me funksionimin e autobusëve në linjat aktuale të qytetit. Nga ana tjetër, siç e dini, po sigurojmë edhe më shumë se 30 autobusë të rinj përmes këtij projekti. Kjo do të thotë se besoj se më së voni në fillim të vitit tjetër kalendarik do të fillojnë aktivitetet ndërtimore dhe puna në terren”, tha Gjorgjievski për REL.

I pyetur për ankesat që kanë qytetarët për vonesat e autobusëve, respektivisht për mungesën e orarit të saktë në faqet online, Gjrgjievski tha se pret që ky problem të zgjidhet pasi të arrijnë 100 autobusët e rinj që janë premtuar nga qeveria.

“Unë gjithmonë jam i sinqertë në deklaratat e mia dhe këtë do të duhet ta verifikoj me drejtorin, të cilin e di që Sashe Ilievski po bën gjithçka që mundet në këtë periudhë. Së pari, disa ditë më parë u dha informacion në publik se rreth 150 autobusë po përdoren çdo ditë, 30 të tjerë janë riparuar dhe qëndronin në garazhe gjatë kësaj periudhe. Pra, kemi rreth 180 autobusë që Ndërmarrja për Qarkullim Publik (NQP Shkup) i përdor në linjat e qytetit. Do të duhet ta verifikoj, dhe nëse ka informacion të saktë ose ndonjë ankesë nga qytetarët, i bëj thirrje të reagojnë te Qyteti i Shkupit, por edhe te Transporti Publik. Pasi të na vijnë 100 autobusët e rinj nga Qeveria dhe 30 të tjerë përmes BRT-së, atëherë do të mund të diskutojmë nëse ka ndonjë anomali dhe nëse nuk kemi bërë gjithçka nga ana jonë. Por tani unë po jap maksimumin me atë që kemi për t’i vendosur në funksion të plotë për qytetarët”, shton Gjorgjievski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit