Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, me ftesë të Ministrit të Zhvillimit Rajonal dhe Administratës Publike, Tibor Navracsics, zhvilloi një vizitë pune njëditore në Hungari, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e partneritetit midis dy vendeve.
Fokusi i bisedimeve ishte shkëmbimi i përvojave për një përdorim më efikas dhe të plotë të programeve të Bashkimit Evropian, si dhe mbështetja për përfshirjen e Maqedonisë në programet e reja evropiane. Për Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, ky bashkëpunim është me rëndësi të veçantë në drejtim të promovimit të zhvillimit rajonal, transferimit të njohurive me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe qasjes në fondet evropiane.
Si pjesë e vizitës, Ministri mori pjesë edhe në hapjen e një ekspozite në Qendrën për Përvoja Dixhitale (CODE), ku Ministri i Kulturës dhe Inovacionit të Hungarisë mbajti një fjalim. Qendra u krijua në kuadër të programit “Veszprém-Balaton 2023 – Kryeqyteti Evropian i Kulturës” dhe synon të hapë mundësi të reja për shkëmbim kulturor përmes përmbajtjes dixhitale dhe interaktive.
Pjesa tjetër e axhendës iu kushtua vizitave në disa vende të rëndësishme në Qarkun Veszprém, gjatë të cilave u shkëmbyen mendime dhe përvoja mbi zhvillimin lokal dhe rajonal, si dhe proceset aktuale shoqërore. Në këtë kontekst, u trajtuan edhe temat që lidhen me mënyrat për të rritur atraktivitetin e rajoneve, si dhe masat për të inkurajuar komunat që të bëhen më të vetëqëndrueshme dhe të përdorin në mënyrë efikase potencialin e tyre të zhvillimit.
Vizita përfaqëson një hap tjetër drejt thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të praktikave të mira në fushat me interes të përbashkët.



