20 vjeçari nga Reçica e Vogël nën hetim për terrorizëm, përmes aplikacionit social kërcënoi për sulm me armë

Prokuror publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 20-vjeçari nga Reçica e Vogël, për veprën penale “Terrorizëm”, transmeton Portalb.mk.

I dyshuari, në fund të muajit janar të këtij viti, përmes aplikacionit social Discord, ka dërguar kërcënim serioz se është i gatshëm të kryejë sulm me armë zjarri – pushkë automatike AK-47, e njohur si kallashnikov, duke theksuar se ka probleme me shëndetin mendor.

Si frymëzim për sulm të tillë ka përmendur një ngjarje të 14 dhjetorit 2012 në SHBA, kur Adam Lanza, 20 vjeç, në një shkollë vrau 26 persona, prej të cilëve 20 fëmijë.

Pas informacioneve të marra nga Ambasada e SHBA-së në Shkup se nga ana e FBI-së është paraqitur kërkesë për identifikimin urgjent të një profili në “Discord” që ndodhet në vendin tonë dhe nga i cili janë dërguar kërcënimet serioze, Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë, ndërmori veprime për zbulimin e autorit.

“Pas identifikimit dhe lokalizimit të adresës së përdoruesit, më 17 shkurt 2026, nën udhëheqjen e një prokurori publik nga Prouroria kundër Krimit dhe Korrupsionit, zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, me asistencë të Njësisë Speciale “Tigrat”, kryen bastisje në një shtëpi dhe hapësira të tjera në Reçicë të Vogël”, informoi Prokuroria

Gjatë bastisjes tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar një sëpatë, pesë thika me gjatësi të ndryshme, një teleskop, shtatë telefona celularë iPhone dhe një kompjuter. Gjithashtu, nga babai i të dyshuarit është sekuestruar një pistoletë për të cilën posedon leje dhe disa copë municion. Ndërsa arma tjetër e gjetur – pistoletë dhe pushkë automatike – rezulton se janë poseduar pa leje nga gjyshi i të dyshuarit, ndaj të cilit është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Tetovës për veprën penale “Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë ose lëndë plasëse”.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Propozimi është pranuar dhe me vendim është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit