Shefi i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka deklaruar se VLEN e mbështet publikisht Rezolutën e dorëzuar në Kuvend për krerët e UÇK-së, duke theksuar se Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte “luftë e drejtë dhe e pastër”, e zhvilluar për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.
Sipas tij, në këtë çështje shqiptarët duhet të jenë unikë, pa dallime partie, feje apo bindjesh politike. Ai theksoi se prania e deputetëve të VLEN-it në seancën e Komisionit ku u diskutua kjo pikë e rendit të ditës dëshmon qartë përkrahjen e tyre, ndërsa “vota është ajo që numërohet në Kuvend”.
Qoku ka drejtuar kritika ndaj Bashkimi Demokratik për Integrim dhe liderit të saj Ali Ahmeti, duke theksuar se partia që, sipas tij, erdhi në pushtet falë luftës së UÇK-së dhe qëndroi 22 vjet në qeveri, nuk bëri sa duhet për veteranët e luftës. Ai tha se shumë prej tyre u detyruan të largohen nga vendi për të siguruar jetesën, ndërsa një pjesë kanë mbetur në kushte të vështira.
Në reagimin e tij, Qoku përmendi edhe miratimin e Ligjit për “branitellat” dhe ndryshimet e tij gjatë qeverisjes së BDI-së, duke theksuar se propozim-ndryshimi i shtatë, i paraqitur në kohën kur VLEN ishte në qeveri, është penguar dhe ka mbetur pezull.
Ai gjithashtu ngriti çështjen e qëndrimit të Ahmetit ndaj Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së, duke theksuar se nga themelimi i saj në vitin 2016 nuk është ndërmarrë asnjë hap kundërshtues, ndonëse, siç tha, BDI në atë kohë kishte rol të rëndësishëm në qeveri. Sipas tij, Ahmeti nuk ka vizituar krerët e UÇK-së në Hagë, përveç një rasti kur ka qenë në cilësinë e dëshmitarit.
Qoku theksoi se Ahmeti është mburrur publikisht për lobimin e tij në favor të votimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, ndërsa sot, sipas tij, proteston kundër saj, duke ngritur pyetjen nëse ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje.
Në fund, ai akuzoi BDI-në se ka keqpërdorur UÇK-në dhe vlerat e saj për përfitime politike, duke shtuar se edhe kjo Rezolutë, sipas tij, po përdoret për qëllime të ngushta partiake, pa konsultim dhe pa sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend.(INA)



