Uliks Gjonaj – instruktori shqiptar që trajnon njësitë më elitare të policive në botë

Uliks Gjonaj është një nga emrat më të njohur ndërkombëtarisht në fushën e sigurisë dhe trajnimeve për njësitë speciale.

Në intervistën e tij për INA – Iliria News Agency, ai rrëfen rrugëtimin e jashtëzakonshëm nga Kosova deri në SHBA dhe Evropë, duke u bërë Instruktor i SWAT-it dhe ekspert i njohur në Commando Krav Maga, ku mban Nivelin 8 – një nga nivelet më të larta në botë.

Gjonaj tregon sfidat, përkushtimin dhe motivimin që e kanë udhëhequr në karrierën e tij, si dhe eksperiencën e themelimit të Commando Defense Academy Swiss, një akademi që përgatit profesionistë të njësive elitare sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

INA: Na përshkruani shkurt prejardhjen dhe historinë e familjes suaj, si dhe rrugëtimin që ju çoi nga vendlindja drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Unë quhem Uliks Gjonaj. Kam lindur në Planqor, në komunën e Gjakovës, ndërsa rrënjët e mia janë nga Laçi i Kurbinit, vendlindja e gjyshit tim. Jam rritur me dashurinë për familjen, traditën dhe vendin tim, por edhe me ëndrra të mëdha për të ardhmen.
Rrugëtimi im drejt SHBA-së nuk ishte i shtyrë nga nevoja ekonomike, sepse familja ime kishte një standard të mirë jetese. Ishte dëshira për një të ardhme me më shumë mundësi, me më shumë siguri dhe perspektivë, ajo që më shtyu të marr një vendim të madh në jetën time. Kosova në atë kohë nuk ofronte horizontin që unë deshiroja.
Une pata fatin të bëhem rezident i Amerikës dhe, në vitin 2004, udhëtova drejt shtetit të ëndrrave të mia. Nuk ishte vetëm një udhëtim gjeografik — ishte një udhëtim shpirtëror, një fillim i ri, një sfidë që kërkonte guxim dhe sakrificë.
Sot, kur shikoj rrugën që kam përshkuar, e kuptoj se ëndrra ime është bërë realitet. Për çdo arritje, për çdo mundësi dhe për çdo hap përpara, do t’i jem përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit që më dha mundësinë të ndërtoj të ardhmen time dhe të realizoj deshirat dhe planet e mia.

INA: Si lindi vendimi për t’iu përkushtuar profesionit në fushën e sigurisë dhe njësive elitare? Cilat ishin motivet kryesore që ju orientuan drejt kësaj rruge?

Uliks Gjonaj: Në vitin 2004, pas mbërritjes sime në New York, fillova të punoja sikurse çdo emigrant tjetër, duke u përpjekur të krijoja një jetë të re. Por pasioni im për mësim dhe sfida më shtynë të ndjek rrugë më të veçantë. Gjatë studimeve per EKG Teknik në fushën e mjekësisë, regjistrova edhe trajnime në fushën e sigurisë, fillimisht me Investigation Guard dhe më pas në Special Service Protection. Aty lindi një dëshirë e fuqishme për të ndjekur programet policore dhe njësitë speciale, një dëshirë që vetëm rritej me çdo hap që bëja.
Fillova si Instruktor në programet e policisë amerikane, dhe pas shumë përpjekjesh dhe përkushtimi të madh, në vitin 2015 arrita të fitoja titullin Instruktor i Instruktorëve, i licencuar nga Departmenti i Policisë Amerikane dhe Instituti i Policisë Amerikane. Në vitin 2019 u licencova si Instruktor i SWAT, duke ndjekur trajnime intensive, përfshirë edhe ato për Anti-Terrorizëm.
Por pasioni im nuk njohu kufij. Çdo vit udhëtoja edhe në Izrael, për të marrë pjesë në trajnimet më të avancuara të Commando Krav Maga, ku sot jam Instruktor i Nivelit 8, niveli më i lartë. Vetëm 10 persona në botë e kanë këtë nivel, dhe unë ndihem i bekuar që jam pjesë e këtij grupi të vogël.

Motivi që më shtyu të nisja këtë rrugë erdhi nga një takim i thjeshtë, por vendimtar. Në spitalin ku punoja në New York, u njoha me një polic dhe u bëmë miq. Ai vërejti dëshirën, disiplinën dhe vendosmërinë time. Ishte pikërisht ai që më sugjeroi të ndiqja këtë drejtim, duke besuar në potencialin dhe suksesin që mund të arrija. Ky ishte fillimi i një udhëtimi që më transformoi — pasioni im u bë profesion, sfidat u kthyen në mësime, dhe ëndrra ime u bë realitet.


INA: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha profesionale dhe personale gjatë trajnimit dhe avancimit tuaj në karrierë?

Uliks Gjonaj: Sfidat më të mëdha në rrugëtimin tim ishin trajnimet për Nivelin 7 dhe 8 në Izrael, si dhe trajnimi për Instruktor të SWAT. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe njëkohësisht ndër më të vështirat në jetën time profesionale. Këto trajnime kërkonin përkushtim maksimal, fokus të plotë, disiplinë të hekurt, lodhje fizike dhe sakrifica të mëdha.
Përgjegjësia ishte e jashtëzakonshme, sepse nuk trajnohesh vetëm për veten — por për të udhëhequr dhe trajnuar të tjerët. Kishte momente lodhjeje ekstreme dhe sfida që të vinin në provë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Por unë nuk pranova kurrë të dorëzohesha. Qëllimi im ishte i qartë: t’i përfundoja me sukses dhe të fitoja titullin që prej kohësh e dëshiroja me gjithë zemër.
Çdo pikë djerse, çdo sakrificë dhe çdo moment vështirësie më forcuan edhe më shumë. Dhe kur arrita ta mbaj atë titull në duart e mia, e kuptova se çdo sakrificë kishte vlejtur.

INA:Cili është angazhimi juaj aktual profesional dhe çfarë përfshin konkretisht roli juaj si trajner i njësive elitare?

Uliks Gjonaj: Unë jam themelues dhe Shef Instruktor i Commando Defense Academy Swiss. Kjo akademi ofron trajnime profesionale për forcat policore, ushtarake dhe strukturat e sigurisë, duke përdorur programet më të reja dhe më moderne nga Amerika dhe Izraeli.
Programet që aplikojmë janë akademike dhe profesionale, të bazuara në standardet e Institutit të Policisë Amerikane dhe atij Izraelit. Ato janë të zhvilluara nga ekspertë të departamenteve të policisë dhe ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, duke garantuar cilësi, profesionalizëm dhe përgatitje të nivelit më të lartë.
Në këtë akademi, qëllimi ynë është të ndërtojmë profesionistë të përgatitur jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, me disiplinë, etikë dhe përgjegjësi të lartë në shërbim të sigurisë.

INA: Në cilat vende ose rajone keni zhvilluar trajnime dhe a keni qenë i përfshirë në operacione apo mjedise me rrezik të lartë (brenda kufijve të asaj që mund të bëhet publike)?

Uliks Gjonaj: Unë kam trajnuar dhe vazhdoj të trajnoj pjesëtarë të Policisë Amerikane, si dhe forca policore në Izrael dhe ato të Evropës. Po ashtu une kam mbajtur trajime edhe në Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën.
Gjithashtu, kam trajnuar 22 kontingjente të NATO-s, duke kontribuar në përgatitjen profesionale të tyre sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Trajnimet më të shpeshta i zhvilloj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë.
Nuk kam marrë pjesë në operacione me rrezik të lartë, pasi roli im është ai i instruktori — përgatitja dhe trajnimi profesional i forcave policore dhe ushtarake, me qëllim që ato të jenë sa më të gatshme dhe efektive në misionet e tyre.

INA: Sa peshë ka për ju fakti që përfaqësoni një histori suksesi shqiptare në këtë nivel ndërkombëtar dhe cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë?

Uliks Gjonaj: Nuk është e lehtë të mbash dhe të gëzosh një nivel kaq të lartë, sepse kjo kërkon përgjegjësi për çdo gjë që bën. Për mua, fakti që përfaqësoj një histori suksesi shqiptare në nivel ndërkombëtar ka një peshë të madhe. Ndihem i privilegjuar dhe krenar që mund të mbaj flamurin amerikan dhe atë zviceran, ndërkohë që rrënjët e mia janë shqiptare.
Ky pozicion më jep mundësinë të tregoj se, pavarësisht sfidave, punë e përkushtim i palodhur mund të sjellin sukses edhe jashtë kufijve të vendit tonë.
Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë është i qartë: besoni në veten tuaj, punoni me përkushtim, mos u dorëzoni përballë sfidave dhe gjithmonë mbani krenarinë për origjinën tuaj. Është e mundur të arrish majat, pavarësisht se nga vjen.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit