Ushtria amerikane është e përgatitur të ndërmarrë një sulm të mundshëm ndaj Iranit që këtë fundjavë, megjithëse presidenti Donald Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për autorizimin e veprimeve ushtarake, shkruan CNN.
Sipas burimeve të njohura me zhvillimet, Shtëpia e Bardhë është informuar se forcat amerikane mund të jenë gati për një ndërhyrje brenda pak ditësh, pas një grumbullimi të konsiderueshëm të aseteve ajrore dhe detare në Lindjen e Mesme. Megjithatë, një burim theksoi se Trump ka diskutuar privatisht si pro ashtu edhe kundër një sulmi, duke kërkuar këshilla nga bashkëpunëtorët dhe aleatët për kursin më të mirë të veprimit.
Zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare u mblodhën të mërkurën në Sallën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë për të shqyrtuar situatën. Presidenti u informua gjithashtu nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner mbi bisedimet indirekte me Iranin që u zhvilluan në Gjenevë. Takimi disaorësh mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë përfundoi pa një marrëveshje konkrete, megjithëse palët ranë dakord mbi disa “parime udhëzuese”.
Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi se Irani pritet të paraqesë më shumë detaje mbi pozicionin e tij negociues brenda dy javëve të ardhshme, por nuk konfirmoi nëse veprimet ushtarake do të pezullohen gjatë kësaj periudhe. Ajo theksoi se diplomacia mbetet opsioni i parë, por se “veprimi ushtarak është ende në tryezë”.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të vizitojë Izrael më 28 shkurt për t’u takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe për ta informuar mbi zhvillimet e fundit.
Tensionet janë shtuar edhe për shkak të lëvizjeve ushtarake në terren. Anija luftarake USS Gerald R. Ford, një nga grupet më të avancuara të aeroplanmbajtëseve amerikane, mund të mbërrijë në rajon këtë fundjavë. Gjithashtu, asetet e Forcave Ajrore Amerikane të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar po ripozicionohen më afër Lindjes së Mesme.
Nga ana tjetër, Irani po forcon disa prej objekteve të tij bërthamore, sipas analizave të fundit satelitore, mes frikës për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak. /KosovaPress



