Kryeministri Edi Rama është nisur këtë të mërkurë drejt Washingtonit, në përgjigje të ftesës së presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të këtij Bordi, ku Shqipëria do të jetë një ndër shtetet themeluese.
Kjo është konfirmuar përmes një njoftimi nga Agjencia për Media dhe Informim, por edhe gjatë një konference për mediat që dha ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali paraditen e sotme, pas ministerialit për Korridorin VIII që u zhvillua sot në Tiranë.
“Po, kryeministri është nisur drejt SHBA-ve ku do të marr pjesë në takimin e parë të Brodit të Paqes. Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri në rolin e vendit anëtar themelues dhe në këtë fazë nuk ka detyrime financiare.”, iu përgjigj ministrja Spiropali pyetjeve të gaztearëve.
Ajo theksoi se Shqipëria është e angazhuar për t’u përfshirë në procesin ndërkombëtar të stabilizimit në Gaza, por angazhime të tjera financiare nuk ka.
Sjellim ndërmend se pak ditë më parë, kur njoftoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje, kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.”
Bordi i Paqes i iniciuar nga presidenti i SHBA-ve Trump synon forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme por nuk ndalet vetëm këtu. Synimi shtrihet për të vijuar me zgjidhjen e konflikteve të tjera globale.
Më shumë se 25 vende kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Argjentinën, El Salvadorin, Paraguain, Bjellorusinë, Bullgarinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hungarinë, Egjiptin dhe Marokun.



