Pas mbledhjes konstituive të Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, të mbajtur më 2 shkurt 2026, sot shënohet hyrja në fazën vendimtare të zbatimit konkret të Strategjisë për periudhën 2025–2028 dhe Planit të Veprimit 2025–2026.
Me Vendimin e Qeverisë të datës 9 shtator 2025 dhe me emërimin e anëtarëve më 28 tetor 2025, është konsoliduar struktura e plotë institucionale për koordinimin dhe monitorimin e kësaj strategjie.
Megjithatë, siç theksoi Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, z. Arben Fetai, struktura në vetvete nuk prodhon rezultate, rezultatet arrihen përmes veprimit të koordinuar, përgjegjësisë së qartë institucionale dhe llogaridhënies konkrete.
Këshilli Nacional përcakton drejtimin politik, ndërsa Komisioni Nacional ka për detyrë të sigurojë që ky drejtim të përkthehet në rezultate të matshme në praktikë. Raporti i parë vjetor evidenton progres normativ, por faza aktuale kërkon angazhim të shtuar operacional, disiplinë në raportim dhe reagim të menjëhershëm ndaj pengesave sistemike.
Në këtë kontekst, Komisioni Nacional do të funksionojë si mekanizëm aktiv i zbatimit dhe monitorimit, me fokus në:
-zbatimin e plotë të përgjegjësive institucionale;
-identifikimin dhe adresimin e pengesave reale në sistem;
-raportim me integritet, transparencë dhe pa kalkulime politike;
-ndërhyrje të menjëhershme në rast vonesash apo mungese kapacitetesh.
Gjatë takimit u promovua dokumenti i përgatitur në bashkëpunim me United Nations Office on Drugs and Crime (UNODC), “Checklist për lehtësimin e kthimit të pasurisë”, si instrument praktik për standardizimin dhe fuqizimin e proceseve të rikuperimit të aseteve. Ky dokument përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të kapaciteteve teknike dhe harmonizimit me standardet ndërkombëtare.
Rikuperimi dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme mbetet prioritet i sistemit gjyqësor, ligjzbatues dhe i inteligjencës financiare. Qeveria është e vendosur që krimi të mos mbetet ekonomikisht i leverdishëm dhe që proceset e gjetjes, identifikimit, konfiskimit dhe menaxhimit të pasurisë të jenë efektive dhe të qëndrueshme.
Rezultatet do të maten jo me numrin e mbledhjeve, por me progresin konkret në terren dhe me forcimin e kredibilitetit ndërkombëtar të vendit.
Kabineti i Zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë do të kërkojë dedikim të plotë ndaj këtij procesi, disiplinë në raportim, transparencë në të dhëna dhe përgjegjësi institucionale të qartë nga të gjitha palët e përfshira.
Përgjegjësia është kolektive. Llogaridhënia është konkrete.



