Takimi i 19-të i Këshillit të stabilizim-asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut

Shkup, 18 shkurt – Takimi i 19-të i Këshillit të stabilizim-asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut (Këshilli i SA-së) u mbajt në Shkup më 10 shkurt 2026, thuhet në njoftimin e sotëm të Këshillit të stabilizim-asocimit, që MIA e publikon në formë integrale.

Takimi u bashkë kryesua nga zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov dhe Sigrid Bretel, shefe e njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në DG ENEST. Fjalë hyrëse mbajtën zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane Bekim Sali dhe Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në DG ENEST, Valentina Superti.

Këshilli i SA-së përshëndeti arritjet e rëndësishme të realizuara që nga takimi i fundit në vitin 2021, përfshirë përmbylljen e procesit të skriningut dhe fillimin e fazës së hapjes së procesit të negociatave për anëtarësim. Ai theksoi rëndësinë që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe të zbatojë kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit Evropian në vitin 2022. Këshilli përshëndeti përparimin në adresimin e piketave për hapjen e klasterit të të drejtave themelore: një udhërrëfyes për reformën e administratës publike dhe një udhërrëfyes për kapitujt e sundimit të ligjit me një plan veprimi shoqërues për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave ose komuniteteve, i cili do të përgatitet dhe finalizohet në një proces gjithëpërfshirës.

Këshilli i SA-së bëri një vlerësim të gjendjes aktuale në lidhje me kriteret politike dhe ekonomike, zbatimin e Agjendës së Reformës në kuadër të Instrumentit për Reformë dhe Rritje dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, si dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së. Këshilli theksoi rëndësinë e avancimit të reformave të BE-së, veçanërisht në lidhje me të drejtat themelore, rekomandimet në raportin e Komisionit për vitin 2025 dhe konkluzionet e Nën-këshillave të SA-së dhe Grupit të Posaçëm për RAP. Këshilli përshëndeti angazhimin dhe përparimin e arritur nga Maqedonia e Veriut në Agjendën e Reformës dhe theksoi rëndësinë e adresimit të të gjithë hapave dhe, si çështje me prioritet për ato që periudha e tyre tranzitore përfundon në qershor 2026.

Këshilli i SA-së u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe palëve kombëtare të interesit të punojnë së bashku për ruajtjen dhe forcimin e dialogut politik dhe theksoi rëndësinë e adresimit të rekomandimeve të pambuluara të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për reformën zgjedhore. Këshilli inkurajoi vazhdimin e reformave në fushat kyçe siç janë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe administrata publike. Këshilli i SA-së u njoftua për përgatitjen në vijim të Kodit të ri Penal në përputhje me të drejtën e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ai njohu përparimin e arritur në sektorë siç është digjitalizimi, duke vënë në dukje sfidat në fushën e mjedisit dhe mbrojtjes së klimës.

Këshilli i SA-së përshëndeti përafrimin e vazhdueshëm e të plotë të Maqedonisë së Veriut me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ai ritheksoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të Procesit të stabilizim-asocimit, dhe se marrëveshjet dypalëshe duhet të zbatohen në mirëbesim nga të gjitha palët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit