Në seancën plenare të caktuar më 18 shkurt do të konstatohen dorëheqjet e kryetarit të KRrE-së, Marko Bislimovski, dhe anëtares së KShPK-së, Cveta Ristova. Njëherësh do të shpallen edhe dy konkurse për plotësimin e vendeve të tyre, ndërkohë në rend dite pritet të jenë edhe propozimi për zgjedhjen e gjyqtarit kushtetues, si dhe propozim-ligji i LSDM-së për pagën minimale, në qoftë se paraprakisht konstatohet se është respektuar e gjithë procedura e parashikuar në Rregulloren e Kuvendit.
Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e fundit me gazetarët.
Ndërkohë në takimin e fundit koordinues që ka zhvilluar me koordinatorët e grupeve parlamentare, Gashi ka ngritur çështjen e dinjitetit dhe respektimit të Kodit Etik të deputetëve, duke kërkuar që ata t’ua përcjellin deputetëve nevojën për kujdes gjatë paraqitjeve të tyre publike ndaj njëri-tjetrit, sidomos në shkrimet e publikuara në rrjetet sociale, duke iu referuar ofendimeve të fundit midis Dimitar Apasievit dhe deputetes së VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
Gashi planifikon po ashtu të ngrejë çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Anketues nga ana e partive politike për rastin tragjik të Koçanit, i cili deri më sot ende nuk ka funksionuar. Për këtë çështje, Gashi tha se nga ana e tij janë përmbyllur të gjitha procedurat e parashikuara dhe se tashmë në duart e partive politike është procesi për emërimin e anëtarëve. Megjithatë, ai do ta iniciojë sërish këtë çështje para koordinatorëve të partive politike.
Sa i përket çështjes së shkrirjes së VLEN-it në një subjekt të vetëm politik, Gashi, si ish-kryetar i “Alternativës”, tha se ky proces, i nisur nga liderët e VLEN-it, ka për qëllim unifikimin e shqiptarëve në dy blloqe të qarta politike shqiptare. Ai vlerëson se kjo shkrirje do të stabilizojë dy blloqet politike shqiptare. Gashi tha se nuk ka shumë dilema dhe se liderët politikë po kërkojnë mënyrën më të mirë të funksionimit të një partie politike. Një ndër parimet që, sipas tij, duhet të merret parasysh është barazia dhe vendimmarrja konsensuale. Sa i përket rezolutës së BDI-së për mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Kuvendin e RMV-së, Gashi tha se, pasi ta rishikojë atë dhe nëse konstatohet se është në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit, do ta vendosë në seancën e radhës plenare.



