Fatlume Bunjaku përfaqëson Kosovën si Shooting Star në Festivalin e Filmit në Berlin

Në edicionin e 29-të të platformës European Shooting Stars, e organizuar nga European Film Promotion dhe e mbështetur nga programi Creative Europe’s Media, 10 aktorë të rinj dhe premtues evropianë po marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin për të zhvilluar karrierat e tyre ndërkombëtare. Ky aktivitet zhvillohet nga 13 deri më 16 shkurt, ku aktorët pjesëmarrës marrin pjesë në punëtori, panele dhe takime me gazetarë, producentë dhe drejtues kastingu ndërkombëtar.

Në mesin e aktorëve të përzgjedhur këtë vit është edhe Fatlume Bunjaku, aktorja kosovare-shqiptare e cila kombinon karrierën e saj si aktore me punën si profesore e arteve skenike. Juria e Shooting Stars e përshkroi Bunjakun si një talent me “prani mbresëlënëse në ekran”, duke vlerësuar lëvizjet e saj fizike dhe ndikimin e sfondit të saj në kërcim në interpretimet skenike. Ajo ka shkruar dhe aktualisht po prodhon filmin e saj të parë të shkurtër, “Visa, Champagne and a Sandwich”, transmeton KultPlus.

Përveç Bunjakut, këtë vit janë përzgjedhur edhe aktorë të tjerë nga Evropa, përfshirë Violet Braeckman nga Belgjika, Joes Brauers nga Holanda, Salif Cissé nga Franca, Cleo Diára nga Portugalia, Lucas Englander nga Austria, Danielle Galligan nga Irlanda, Tecla Insolia nga Italia, Sofia Tjelta Sydness nga Norvegjia dhe Enno Trebs nga Gjermania.

Ky edicion ofron mundësi unike për aktorët e rinj, duke i prezantuar ata për publikun në Berlinale Hub më 16 shkurt, përmes një eventi të hapur me biseda, video dhe lojëra në një atmosferë të relaksuar. Pjesëmarrja është falas dhe sipas radhës së ardhjes.

European Shooting Stars ka si qëllim të ndihmojë aktorët evropianë të ndërtojnë karrierën e tyre ndërkombëtare dhe të rritin vizibilitetin e tyre përpara profesionistëve dhe publikut global. Fatlume Bunjaku, duke përfaqësuar Kosovën, është një nga talentet më premtuese të këtij edicioni dhe një emër që do të ndihet fuqishëm në skenën ndërkombëtare të filmit./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit