Zyra e prokurorit të Parisit njoftoi se është formuar një ekip i posaçëm hetuesish për të shqyrtuar provat e reja që mund të implikojnë qytetarët francezë në aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein, raporton Le Monde.
Ekipi do të punojë ngushtë me prokurorët nga njësia kombëtare e krimit ekonomik dhe autoritetet policore, me qëllim hapjen e hetimeve për çdo krim të dyshuar që përfshin shtetas francezë, sipas deklaratave të prokurorit të Parisit.
Vendimi vjen pas publikimit të dokumenteve nga autoritetet amerikane që zgjerojnë rrethin e njohjeve të Epstein me figura të rëndësishme franceze. Prokurori i Parisit tha se ekipi i ri do të shqyrtojë gjithashtu në detaje rastin e ish-pronarit të agjencisë së modelimit Jean-Luc Brunel, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2022.
Ekipi synon të “nxjerë çdo provë që mund të përdoret në një hetim të ri”, sipas zyrës së prokurorit.
Jean-Luc Brunel u gjet i vdekur në një qeli burgu në Paris në vitin 2022, pasi u akuzua për përdhunimin e një të miture. Çështja kundër tij u pushua në vitin 2023 pas vdekjes së tij, pa akuza të mëtejshme.
Prokurorët thanë se hetimi zbuloi se Brunel ishte një “mik i ngushtë i Jeffrey Epstein” dhe u ofronte punë modeleve të reja nga prejardhje të varfra.
Autoritetet thanë se Brunel kishte pasur marrëdhënie seksuale me vajza të mitura në Shtetet e Bashkuara, Ishujt Virgjër të SHBA-së, Paris dhe Francën jugore.
Dhjetë gra dëshmuan kundër Brunel, duke përshkruar se si u detyruan të pinin alkool dhe u sulmuan seksualisht, sipas prokurorëve.



