Përkujtohet Gjon Mili, mjeshtri shqiptaro-amerikan që revolucionarizoi fotografinë botërore

Gjon Mili është një nga figurat më të rëndësishme të fotografisë artistike dhe eksperimentale në shekullin XX. Ai u nda nga jeta më 14 shkurt 1984 në Stamford, Connecticut, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në artin dhe teknologjinë e fotografisë.

Gjon Mili lindi në Korçë në vitin 1904 dhe në moshë të vogël familja e tij emigroi në Rumani, ku ai përfundoi arsimin e mesëm. Në vitin 1923 u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku fillimisht u mor me punë të ndryshme, ndërsa paralelisht nisi të merrej me fotografinë si amator. Më vonë studioi inxhinieri ndriçimi dhe kjo përgatitje teknike do të ndikonte drejtpërdrejt në krijimtarinë e tij artistike, duke e ndihmuar të sillte risi të mëdha në fushën e fotografisë.

Mili u bë i njohur për përdorimin pionier të flash-it elektronik dhe dritës stroboskopike, duke krijuar fotografi me ekspozim ultra të shkurtër që paraqisnin lëvizjen në mënyrë të pazakontë, veçanërisht në sport, vallëzim dhe performancë artistike. Një rol të rëndësishëm në orientimin e tij drejt artit pati edhe njohja me Faik Konicën, i cili e nxiti të thellonte krijimtarinë artistike.

Për rreth 15 vite ai punoi si fotoreporter për revistën prestigjioze amerikane “Life”, ku realizoi disa nga reportazhet më të rëndësishme fotografike të kohës. Një nga momentet më të famshme të karrierës së tij ishte bashkëpunimi me piktorin e njohur Pablo Picasso, me të cilin realizoi serinë e famshme të fotografive ku artisti vizaton me dritë, një ndër imazhet më ikonike të historisë së fotografisë.

Veprat e Milit u ekspozuan në galeri dhe muze të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe u vlerësuan nga kritikë dhe intelektualë të kohës. Ai krijoi fotografi në shumë zhanre, duke përfshirë fotografinë artistike, dokumentare, sportive dhe eksperimentale, si dhe realizoi disa filma dokumentarë dhe botoi albume fotografike.

Përmes objektivit të tij, Mili portretizoi figura të njohura të artit, kulturës dhe politikës botërore, duke dëshmuar aftësinë e tij për të bashkuar artin me teknologjinë. Edhe pse jetoi dhe krijoi në Shtetet e Bashkuara, ai ruajti gjatë gjithë jetës lidhjen me origjinën shqiptare, duke përdorur emrin Gjon dhe duke folur e shkruar rrjedhshëm gjuhën shqipe.

Sot ai kujtohet si një pionier i fotografisë moderne dhe një nga emrat më të rëndësishëm shqiptarë në historinë e artit botëror./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit