Kosova do të përfitojë 882 milionë euro nga Bashkimi Evropian

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, të njohur si Plani i Rritjes, e që parashohin përfitime prej më shumë se 880 milionë eurosh për Kosovën, raporton Koha.net.

Siç ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, ky plan vjen me 1/3 si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Ai ka thënë se këto mjete zhbllokohen bazuar në reformat që i zbaton Kosova.

Kuvendi e miratoi me 104 vota pro marrëveshjen. 5 deputetë të Listës Serbe abstenuan.

Bashkimi Evropian e pati miratuar për Ballkanin Perëndimor pakon prej 6 miliardë eurosh në fund të 2023-s. Për shkak të bllokadës në Kuvend, ajo ka ngecur tash e sa muaj.

Këto para janë miratuar për periudhën 2024-2027.

Kuvendi ka miratuar edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare, përfshirë atë me Bankën Botërore rreth 90 milionë euroshe për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër. Kjo marrëveshje parasheh kthimin e mjeteve për 12 vjet, pa kamatë. Ajo u miratua në ditën e fundit të afatit të lejuar.

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
“Kjo i hapë rrugë Kosovës që të përfitojë nga 882 milionë eurot në grante dhe kredi të favorshme, të orientuara drejt zbatimit të reformave që e çojnë përpara Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian”, u tha në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit