Analiza e AI-së vë në dyshim autorësinë e dy pikturave të Jan van Eyck

Një analizë shkencore e kryer me inteligjencë artificiale mbi dy piktura që ndodhen në muze në SHBA dhe Itali ka ngritur një pyetje të fortë për botën e artit: Po sikur asnjëra prej tyre të mos jetë vepër e Jan van Eyck?

Bëhet fjalë për pikturat pothuajse identike, të pa firmosura, me titull “Shën Françesku i Asizit duke marrë stigmat”, të ekspozuara në Muzeun e Artit të Filadelfias dhe në Muzeun Mbretëror të Torinos. Ato konsideroheshin pjesë e numrit të vogël të veprave të mbijetuara të një prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit perëndimor, i famshëm për realizmin dhe detajet e jashtëzakonshme në portrete dhe skena fetare.

Problemi është se testet e fundit sugjerojnë se asnjëra mund të mos jetë pikturuar drejtpërdrejt nga dora e Van Eyck.

Analiza është kryer nga kompania zvicerane Art Recognition, e cila bashkëpunon me Universitetin e Tilburgut në Holandë. Sipas rezultateve, inteligjenca artificiale nuk ka arritur të identifikojë penelatat karakteristike të Van Eyck. Piktura e Filadelfias rezulton “91% negative”, ndërsa ajo e Torinos “86% negative” për autorësinë e tij.

Till-Holger Borchert, një nga studiuesit më të njohur të Van Eyck dhe drejtor i Muzeut Suermondt-Ludwig në Aachen, tha se këto gjetje mbështesin teorinë e disa historianëve të artit, sipas së cilës të dyja pikturat janë punime të studios së artistit – pra të realizuara në punishten e tij, por jo domosdoshmërisht nga vetë ai. Ai u shpreh i “habitur” nga analiza, por theksoi se ajo hap pyetje të reja që duhen studiuar më tej.

Drejtoresha ekzekutive e Art Recognition, Dr. Carina Popovici, i cilësoi përqindjet negative si veçanërisht dramatike. Ajo bëri krahasim me një tjetër vepër të famshme të Van Eyck, “Portreti i Arnolfinit”, që ndodhet në Galerinë Kombëtare në Londër, e cila sipas analizës është 89% e mundshme të jetë autentike.

“Prisja që nëse njëra pikturë do të dilte negative, tjetra të dilte pozitive. Por jo, të dyja dolën negative,” tha Popovici për The Guardian. Ajo shtoi se muzeumet në Filadelfia dhe Torino ndoshta nuk do të jenë të kënaqura me këto rezultate dhe se “nuk janë lajme të mira për këto piktura”.

Kritikë të ndryshëm kanë vënë në dukje se gjendja e pikturave dhe restaurimet e mëvonshme mund të ndikojnë në analizat e bazuara në inteligjencë artificiale.

Historiani i artit Dr. Noah Charney, i cili e ka diskutuar çështjen në podcast-in e tij, tha se analizat e mëparshme të Art Recognition kanë qenë “jashtëzakonisht të sakta”. Sipas tij, rezultati negativ për të dyja veprat ishte aq befasues, sa u kryen teste shtesë për ta konfirmuar.

Charney tha se kishte pritur që piktura e Torinos të konfirmohej si vepër e Van Eyck, ndërsa ajo e Filadelfias të rezultonte kopje. “Rezultatet negative sugjerojnë se të dyja janë punime të studios, çka mund të nënkuptojë se ekziston një origjinal i humbur, më i realizuar nga dora e vetë Van Eyck,” u shpreh ai.

Ai theksoi gjithashtu se një vepër e dalë nga studioja e Van Eyck nuk do të thotë domosdoshmërisht se artisti ka pikturuar çdo detaj vetë.

“Ideja e artistit të vetëm që bën gjithçka vetë është një koncept i shekullit XIX,” tha Charney.

Jan van Eyck konsiderohet një nga pionierët e pikturës me vaj.

“Ai nuk e shpiku pikturën me vaj, por e përsosi aq shumë sa të tjerët dukeshin sikur punonin në hijen e tij për shekuj,” tha Charney, duke shtuar se veprat e tij dallohen për dritën, detajin dhe realizmin e jashtëzakonshëm. Megjithatë, nga Van Eyck njihen më pak se 20 piktura që pranohen gjerësisht si të realizuara plotësisht nga dora e tij.

Galeria Kombëtare në Londër pritet të hapë në nëntor një ekspozitë të dedikuar portreteve të Van Eyck.

Art Recognition ka qenë më parë në qendër të vëmendjes për analiza të ngjashme: në vitin 2024 identifikoi deri në 40 piktura false që ofroheshin për shitje në eBay, ndërsa në vitin 2021 vlerësoi si “91% negative” autorësinë e veprës “Samson dhe Dalila”, që i atribuohej Rubensit dhe ndodhet në Galerinë Kombëtare, duke mbështetur dyshimet e hershme të kritikëve./KultPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit