Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ishte pjesë e Panairit të Turizmit në Tiranë, ku kontribuoi si folës në panelin me temë “Pozicionimi i destinacioneve: nga imazhi te ndikimi real”.
Në fjalën e tij, Qyra theksoi potencialin e madh turistik që posedon Struga, duke vënë në pah resurset natyrore, trashëgiminë kulturore dhe pozitën strategjike të qytetit. Ai bëri një thirrje të hapur për të gjithë operatorët turistikë që ta përfshijnë Strugën në paketat e tyre, duke theksuar se qyteti ofron përvojë autentike dhe mundësi të shumta zhvillimi.
“Çdo rrugë të çon në Strugë”, u shpreh ai, duke nënvizuar ambicien për ta pozicionuar qytetin si një destinacion të rëndësishëm në hartën turistike rajonale.
Qyra pranoi se Struga ka ende punë për të bërë për t’u prezantuar ashtu siç e meriton, por shtoi se me vullnet, bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët, shumë shpejt do të shndërrohet në një destinacion turistik të denjë dhe të qëndrueshëm.
Pjesëmarrja në Panairin e Turizmit në Tiranë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe promovimit më të fuqishëm të Strugës në tregun turistik.




