Kryetari i ASH-së, Arben Taravari propozon një marrëveshje të re mes dy etnive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut, e cila do të jetë në korniza të marrëveshjes së Ohrit.

Ai tha se kauza e tyre në të ardhmen do të jetë edhe decentralizimi fiskal.

“Së shpejti do të promovojmë propozimin tonë për marrëveshje të re mes dy etnive që jetojnë në Maqedoni. Këtu do të jetë shtylla e kësaj dhe besoj se edhe kauza e ardhshme e jona do të jetë decentralizimi fiskal, le ta themi kështu konfederatë apo federatë jo territoriale, domethënë për funksionimin e komunave me më shumë kompetenca dhe ma shumë financa”, tha Taravari në “Rrishtazi” në “KohaCast”.

Taravari shprehu dyshime të thella mbi funksionimin dhe perspektivën e koalicionit qeverisës VLEN, duke e cilësuar atë si një konglomerat partish me ideologji të ndryshme, të cilat vështirë se mund të shndërrohen në një strukturë të unifikuar politike.

Ai veçoi se bashkimi eventual mund të ndodhë vetëm mes disa subjekteve të caktuara, si BESA dhe Alternativa, ndërsa për Lëvizjen Demokratike dhe grupin e Arben Fetait tha se janë struktura krejtësisht të ndryshme./Telegrafi/