Këtë vit, në Ulqin do të mbahet edicioni i pestë i mbrëmjës që i dedikohet Shën Terezës dhe sipas organizatorëve, në këtë mbrëmje që i kushtohet figurës së jashtëzakonshme shqiptare që u shndërrua në simbol botëror të dashurisë dhe humanizmit, do të nderohen 14-të personalitete nga fusha e biznesit, humanizmit, figura shqiptare që na bëjnë krenarë në anë të ndryshme të botës.
Sokol Guga, organizator i kësaj mbrëmje ka thënë për KultPlus se kjo mbrëmje do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Ulqin.
Sipas tij, çdo element skenik do të të vendoset në funksion të mesazhit të saj universal: dashuria për njeriun, veçanërisht për më të dobëtit. Producenti e prezantuesi Sokol Guga, do të sjellë këtë vit një spektakël te jashtëzakonshëm, me artistë shqiptarë, nga Kosova e nga bota të cilët do të sjellin emocion për publikun.
Guga ka mbledhur stafin dhe pritet të bëhet publike edhe skenografia e cila edhe këtë vit i është besuar skenografit të talentuar Bledar Gërcaliut, ndriçimi Olsi Tufës, audio Andri Gjini, grafikat Taulant Hyso e stafit të tij të ngushtë me në krye regjisorin Armelin Llanaj, të cilët garantojnë suksesin e një spektakli madhështor.
Ky spektakël ketë vit shkon në Ulqin, mbas suksesit të padiskutueshëm të vitit të kaluar në Luginen e Preshevës, dhe është një homazh artistik dhe një kujtesë e fuqishme se figura e Shën Terezës vazhdon të frymëzojë breza të tërë. Përmes artit dhe televizionit, mesazhi i saj i dashurisë universale dhe i shërbimit ndaj njeriut vjen sot më aktual se kurrë.



