Studenti Mevlan Ademi: Barazia nuk është privilegj, por e drejtë themelore

Studenti Mevlan Ademi, në emër të studentëve, falënderoi të gjithë personalitetet dhe subjektet politike që janë rreshtuar qartë dhe njëzëri në mbështetje të kërkesës së tyre, duke theksuar se kjo përkrahje është dëshmi se, kur bëhet fjalë për dinjitet, të drejta dhe barazi, shoqëria di të bashkohet dhe të qëndrojë në anën e drejtë të historisë.

Ai përshëndet në veçanti Zëvendëskryeministrin e Parë të vendit, z. Bekim Sali, për deklaratën publike, mbështetjen e shprehur dhe angazhimin konkret ndaj kërkesave të studentëve. Sipas Ademit, studentët janë e ardhmja e këtij vendi dhe çdo kërkesë legjitime meriton përkrahje institucionale, jo neglizhencë.

“Kushtetuta duhet të zbatohet. Ligjet duhet të respektohen. Barazia nuk është privilegj; është e drejtë themelore”, theksoi Mevlan Ademi.

Ai shtoi se studentët do të qëndrojnë të bashkuar, të vendosur dhe të palëkundur deri në realizimin e plotë të kërkesës së tyre. “Dy breza studentësh kanë kaluar që nga fillimi i kësaj iniciative, por ne nuk lodhemi, nuk tërhiqemi dhe nuk heshtim. Sepse e drejta nuk kërkohet me përulje, por mbrohet me dinjitet”, u shpreh ai.

Sipas Ademit, kjo lëvizje është një thirrje për drejtësi, një betejë për barazi dhe zëri i një brezi që refuzon të injorohet.

“Sa bukur është kur jemi bashkë. Sa e fortë është e vërteta kur flitet njëzëri”, përfundoi ai.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit