Letjani, djali i Komandant Telit, ka realizuar një vizitë emocionale në Maqedoni, duke rikthyer kujtimet e luftës dhe duke nderuar miqtë e babait të tij nga koha e rezistencës së armatosur.
Në një postim në rrjetet sociale, ai ka bërë të ditur se kjo ditë për të ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi ka vizituar shtëpinë e vjetër të Agës Xhezmi – një vend me rëndësi të veçantë historike, ku ende janë të dukshme shenjat e plumbave dhe ku gjatë luftës së Haraçinës kanë qëndruar Komandant Teli me njësitin e tij.
“Kjo ditë për mua ishte shumë e rëndësishme. Vizitova shtëpinë e vjetër të Agës Xhezmi, ku akoma kanë mbetur shenjat e plumbave dhe është vendi ku kanë qëndruar Komandant Teli me njësitin e tij gjatë luftës së Haraçinës. U përlota nga fjalët dhe tregimet e tij dhe kuptova me plot bindje se populli që ka përjetuar dhimbjen e luftës nuk do ta harrojë kurrë historinë e luftës për lirinë që ne gëzojmë sot”, ka shkruar Letjani në Facebook.
Vizita e tij u pa si një akt respekti, kujtese dhe mirënjohjeje ndaj sakrificës dhe miqësive të ndërtuara në kohë lufte, duke dëshmuar se historia dhe vlerat e asaj periudhe vazhdojnë të jetojnë edhe te brezat e rinj.




