Një javë pasi mori votëbesimin në Kuvendin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, po kritikohet nga ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa. Sipas tij, po të lexohej zëri i qytetarëve në zgjedhjet e fundit, Abdixhiku nuk do të duhej të qëndronte në krye të partisë. Ai thotë se angazhimi i Abdixhikut në krye të LDK-së, nuk ka sjellë rezultate, pasi në zgjedhjet e fundit mori vetëm 13 për qind të votave.
Mustafa në një intervistë për KosovaPress, thotë se debati aktual brenda partisë nuk duhet të fokusohet te figura personale e Lumir Abdixhikut, por te modeli i lidershipit që i nevojitet LDK-së për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të përmirësuar rezultatet zgjedhore.
“Unë Abdixhikun e njoh mirë sepse e njoh prej kur ka qenë student. Abdixhiku është punëtor i mirë. Është punëtor i zellshëm, ka qenë student i zellshëm. Më kanë thënë që edhe në LDK në terren ka punuar. Nuk është që s’ka punuar. Mirëpo problemi është se sa puna jote bën punë. Sa aktiviteti yt shprehet pastaj në rezultatet e partisë. Atë çështje është dashur vetë ta vlerësojë Abdixhiku dhe ta vlerësojnë organet e LDK-së. Për mua është nën çdo nivel që unë them tash se është dashur të shkojë, sepse në asnjë rast… Po në qoftë se kthehet aty ku ka qenë, aty ku e ka marrë, domethënë është, duhet të ulet edhe të analizojë pse, edhe të analizojë ai vetë të shohë se çfarë mund të bëjë”, thotë Mustafa.
Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, duke pasur një rezultat të dobët zgjedhor, do të duhej të analizonte dhe vlerësonte më mirë për hapat tutje.
“Ai pati thënë që pas rezultateve të LDK-së në vitin 2021, ku ne ramë rreth 13%, LDK-ja e lexoi drejt zërin e qytetarit. Nuk tha e lexoi drejt zërin e Kuvendit, por zërin e qytetarit dhe pastaj unë edhe bashkëpunëtorët e mi e kuptuam se duhet të bëhen ndryshime… Unë s’mund të them këtu se është dashur të jap dorëheqje apo s’është dashur, mirëpo është dashur të mat fjalët para se të flasë, të flejë një natë, të pushojë pak, të konsultohet me bashkëpunëtorët… Unë mendoj që edhe Kuvendi është dashur të merret me rezultatin, mos të merret me Abdixhikun”, shton ai për KosovaPress.
Ai shtoi se edhe vetë kishte dhënë dorëheqje menjëherë pas rezultatit zgjedhor nën 13 për qind, pa pritur vendime të organeve partiake.
“Votëbesimi duhet të lidhet me disponimin në terren, me zërin e qytetarëve. Sepse votëbesimi nuk është çështje e marrëdhënieve kryetar i LDK-së, Kuvendi i LDK-së… Po tash, në qoftë se zëri i qytetarëve ka ardhur deri aty që LDK-në prapë ta kthejë në 13%, aty ku ka qenë, atëherë kjo ka merituar një qasje tjetër edhe të Kuvendit që Kuvendi të reflektojë, jo që ta shkarkojë apo mos ta shkarkojë zotin Abdixhiku, mirëpo të reflektojë se çfarë duhet bërë më vonë, si duhet të veprojë LDK-ja në mënyrë që të përmirësojë rezultatin… Unë vetë kur kam dhënë dorëheqje, kam dhënë për shkak të rezultatit, jo sepse më ka dashur apo s’më ka dashur në organet e LDK-së, sepse po të shkoje në organet e LDK-së, do të dilte një qëndrim krejt tjetër”, deklaron ai.
Krahas kësaj, një nga kritikat më thelbësore të Isa Mustafës ndaj udhëheqjes aktuale të LDK-së, lidhet me orientimin ideologjik të partisë. Sipas tij, në LDK ka krizë të identitetit dhe rrëshqitje majtas dhe imitim të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se LDK-ja në fushatën zgjedhore të 28 dhjetorit ka humbur identitetin e saj si parti e qendrës së djathtë duke u përpjekur të garojë me Vetëvendosjen në terrenin e populizmit social.
“Së pari duhet ta kemi të qartë se LDK nuk është parti e djathtë. LDK është parti e qendrës së djathtë. Parti e djathtë dallon mjaft shumë prej partisë së qendrës së djathtë… Krahas këtyre, nuk i lejohet askujt që të del edhe të lë përshtypje të thotë, “Unë jam Rugovist”, kur ta sheh kur del e flet për çështje, ai flet për ndihma sociale, flet që Albin Kurti do t’i rrisë pagat minimale në 500 euro, ne do t’i rrisim 700. E po atëherë s’je ti, s’je as i djathtë, as i qendrës së djathtë, po ti politikat po i zhvillon të majta. Kështu që në këtë aspekt…Fushata që është bërë nga LDK-ja është bërë si licitacion, sikur janë në licitim, me VV-në. Sepse VV-ja ka thënë diçka, e ka bërë një ofertë të veten sociale, LDK-ja u mundua ta bëjë pak mbi atë, PDK-ja edhe më, më lartë. Domethënë, krejt opozita e ka imituar Albin Kurtin”, përfundon Mustafa.



